Kriza mbërthen ekonominë, qeveria në vështirësi financiare
Pas rezultateve të fundit financiare, duket se qeveria e ka të pamundur që të paguajë 15-ditëshin e parë të muajit dhjetor brenda datës 31 të këtij muaji, siç parashikohet edhe në ligjin përkatës
Me anë të një deklarate zyrtare, ministri i Financave ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme, se qeveria do të paguajë brenda këtij muaji shpërblimet për të gjitha kategoritë që është premtuar, ndërsa pagat e administratës do të jepen siç ishte parashikuar edhe më parë, pas datës 5 janar. Por pavarësisht optimizmit në rritje të qeverisë dhe deklaratave surprizë të kreut të saj, llogaria financiare duket se është ngushtuar shumë gjatë muajve të fundit, pavarësisht se administrata tatimore ka qenë maksimalisht e impenjuar për të plotësuar planin. Një nga zërat e fortë që kanë pësuar një rënie drastike gjatë këtij viti janë të ardhurat nga akciza, ku zërin kryesor për sa i përket përgjysmimit të të ardhurave në buxhet e zënë akcizat e karburanteve. Ende nuk është bërë e qartë pse kanë rënë këto të ardhura në buxhet, në një kohë që akciza e naftës ka qenë fikse në nivelin 37 lekë për litër.
***
Të dhënat më të fundit zyrtare të Ministrisë së Financave konfirmojnë se qeveria ndodhet në vështirësi financiare. Sipas të dhënave të buxhetit për 11-mujorin, qeverisë i mungojnë në arkë plot 22.4 miliardë lekë nga taksat, kjo edhe me buxhetin e rishikuar të shtatorit, në të cilin qeveria duke parë ecurinë e dobët të taksave, e uli planin e të ardhurave me mbi 10 miliardë lekë. Të ardhurat në buxhet kanë shënuar këtë vit ritmin më të ulët të rritjes. Sipas të dhënave, krahasuar me 11-mujorin e vitit të kaluar, totali i të ardhurave në buxhet është rritur me shifrën minimale 2.2 për qind. Por kjo është rritje nominale. Nëse do të zhvishet efekti i inflacionit, rezulton se të ardhurat reale në buxhet këtë vit janë 0.1 për qind më të ulëta se një vit më parë. Por nëse të ardhurat kanë rënë, shpenzimet janë rritur me 17 për qind. Kjo situatë shpjegon edhe faktin se përse qeveria ndodhet në vështirësi financiare. Shumë nga pagesat e prapambetura të këtij viti do të kalojnë barrë për buxhetin e vitit të ardhshëm. Disa ekspertë thonë se pikëpyetja më e madhe tashmë është stabiliteti financiar i vendit për vitin tjetër. Buxheti i vitit 2010, në të cilin qeveria parashikon se do të ketë rritje ekonomike prej 6 përqindësh dhe të ardhurat do të rriten me 12 për qind, u kritikua ashpër nga FMN, si euforik dhe jorealist. Pavarësisht se është absurde dhe një nga pasojat që jemi në këtë situatë, vetëm dy ditë më parë ishte kreu i qeverisë, Berisha, ai që deklaroi se rritëm pagat para kohe në maj, duke i dhënë kështu një shtysë tepër të madhe deficitit buxhetor. Por ky ishte i vetmi shpenzim marramendës, që çoi në rritjen me 12 herë të deficitit buxhetor në 6-mujorin e parë të vitit 2009, krahasuar me vitin 2008.
Kriza e parave, financat urdhër kazinove për pagesa milionëshe këtë vit
Me anë të një udhëzimi, që tashmë ka hyrë në fuqi, Ministria e Financave u kërkon të gjitha shoqërive të licencuara në fushën e lojërave të fatit, garancinë prej 0.5 përqindësh të xhiros vjetore në dy data. Gjysma e shumës do të duhej të ishte paguar brenda datës 15 dhjetor të këtij muaji, ndërsa pjesa tjetër do të duhet të paguhet brenda datës 31.03.2010. Këto shuma do të duhet që të paguhen në llogarinë e Drejtorisë së Mbikëqyrjes së këtyre lojërave. Sipas udhëzimit, parashikohet që për vitin 2009, brenda datës 15 dhjetor duhet të paguhet garancia.
***
Në udhëzimin e Ministrisë së Financave përcaktohet se shoqëritë e licencuara, si kazinotë dhe lotaritë kombëtare, duhet që të kishin paguar brenda datës 15 dhjetor një shumë prej 2 miliardë lekësh, ndërsa pjesën tjetër brenda tremujorit të parë të vitit 2010. Për kazinotë elektronike parashikohet që të paguhet një shumë prej 1.5 miliardë lekësh brenda datës 15 dhjetor të vitit 2010, ndërsa për shoqëritë që organizojnë baste sportive dhe baste për gara në pistë garancia që duhet të paguhet brenda datës 15 dhjetor 2009 është 1 miliard lekë. Pagesat më të ulëta për këtë kategori e kanë bingot tradicionale dhe televizive, me një shumë garancie prej 300 milionë lekësh.
***
Gjatë vitit 2009 është konstatuar një ndryshim i vazhdueshëm i legjislacionit të lojërave të fatit dhe kazinove në vend, duke shkuar drejt liberalizimit të plotë tyre. Ndërsa shpeshherë nga ana e tatimeve këto aktivitet të bixhozit kanë qenë në qendër të gjobave dhe penalizimeve. Sipas të dhënave të bëra publike nga ana e organeve zyrtare, aktiviteti i bixhozit ka pësuar një rritje të frikshme gjatë vitit të fundit, duke u shoqëruar me fenomene të shumta negative. Por këto biznese mbeten edhe një burim i rëndësishëm i të ardhurave për buxhetin e shtetit në këtë kohë krize. Edhe masa e fundit që i detyron këto subjekte që të bllokojnë fonde prej miliona dollarësh në llogari të qeverisë, duket se është e nxitur nga kriza financiare që ka mbërthyer financat e qeverisë. Sipas të dhënave të buxhetit për 11-mujorin, qeverisë i mungojnë në arkë plot 22.4 miliardë lekë nga taksat, kjo edhe me buxhetin e rishikuar të shtatorit, në të cilin qeveria duke parë ecurinë e dobët të taksave, e uli planin e të ardhurave me mbi 10 miliardë lekë. Të ardhurat në buxhet kanë shënuar këtë vit ritmin më të ulët të rritjes.
***
Vetëm pak javë më parë Kuvendi ka miratuar që kazinotë tani mund të hapen në çdo qytet të vendit. Ndërsa deri tani kazinotë mund të hapeshin vetëm në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Lezhë, në draftin e ri ky kufizim hiqet. Projektligji i miratuar nga Kuvendi parashikon gjithashtu, që një subjekt nuk mund të marrë më shumë se një licencë. Kompetencat për dhënien e licencës kalojnë nga Ministria e Ekonomisë në atë të Financave. Projektligji parashikon edhe ndryshime të tjera. Një prej tyre është moslejimi për të marrë pjesë në lojëra fati të personave nën 18 vjeç dhe atyre që shkaktojnë probleme në familje. Drafti i miratuar nga Kuvendi parashikon edhe disa ndryshime në barrën fiskale për këtë lloj aktiviteti. Kështu, taksa mbi bastet sportive ulet nga 10 në 5 për qind të qarkullimit të parave, ndërkohë që janë vendosur kufij të poshtëm, në bazë të të cilit nuk mund të paguhen më pak taksa. Ulje me 30 për qind pëson edhe tarifa fikse për çdo pikë basti. Ligji parashikon që së paku 50 për qind e xhiros duhet të jepet si fitim për lojtarët, ndërkohë që një pjesë e gjobave për të gjitha kategoritë janë rishikuar me tendencë uljeje.