E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti kërcënon OSSH: Zbatoni kontratën me qeverinë për furnizim 100 %

 
Prifti: Detyrimet dhe pagesat ndaj OSSH-së do të kryhen vetëm pasi kjo e fundit në bashkëpunim me qeverinë të ketë bërë rakordimet dhe faturat ndaj konsumatorëve
 
Pas Entit Rregullator të Energjisë, ka qenë qeveria ajo që është përballur me veprimet e ndërmarra nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, që tashmë ka një pronar të ri. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka kërkuar nga ana e OSSH-së që të zbatojë marrëveshjen me qeverinë shqiptare dhe të mos ndërmarrë dënime kolektive për konsumatorët. Ndërkohë, Prifti bëri me dije se Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Punëve kanë propozuar rritje të subvencionit, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Pagesa do të variojë sipas të ardhurave të familjeve.
 
 
Skema e kompensimit të energjisë
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës pohoi se 290 mijë familje shqiptare do të kompensohen si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Vlera e kompensimit të çmimit është e plotë dhe përkatësisht 960 lekë në muaj dhe në total arrin shifrën 1.7 miliardë lekësh në shërbim të familjeve që janë me ndihmë ekonomike, familjet që janë me pagesa papunësie, familjet e invalidëve, familjet e jetimëve, familjet pensioniste, si dhe familjet e buxhetorëve që kanë rrogën nën 35 mijë lekë në muaj.  “Ky kompensim përfshin të gjitha rritjet që janë bërë nga vitet e kaluara, duke përfshirë këtu edhe rritjen që do të bëhet për vitin 2010, çka është planifikuar dhe përfshirë edhe në buxhetin e këtij viti”, theksoi z. Prifti. Nga ana tjetër, ministri ka nënvizuar faktin se nuk do të hasen shqetësime apo probleme gjatë realizimit të këtij procesi.
“Rreth 79 për qind e familjeve shqiptare konsumojnë më pak se 30 kilovat orë energji në muaj. Pra, për 79 për qind të familjeve shqiptare rritja e çmimit nuk është 13 për qind, por është vetëm 10 për qind, sepse pjesa nga 0-300 kilovat/orë energji në muaj është rritur vetëm 10 për qind dhe çmimi nga 7 lekë që ka qenë është bërë në 7.7 lekë”, sqaroi z. Prifti. “Prandaj do të doja t’u thosha që ky subvencion dhe kjo mbështetje nga buxheti është dhe do të jetë e sigurt gjatë gjithë vitit 2010 për të gjitha këto familje”, ka nënvizuar më tej ministri Prifti.
 
 
Përplasja me OSSH
Ndërkohë, ministri nuk anashkaloi as faktin e ndërprerjeve të energjisë elektrike, ku ai thekson se në shumicën e rasteve këto ndërprerje kanë ndodhur për shkak të defekteve, ose për shkak të mbingarkesës sa i takon dhënies së kohës pajisjeve për të përballuar çdo ngarkesë të mundshme. “Por nuk përjashtohet këtu edhe situatat të verifikuara që OSSH-ja në një mënyrë të padrejtë është duke bërë stakime të energjisë edhe për pjesë të tjera, apo për zona të tjera të Shqipërisë, për të cilat ajo nuk duhet t’i bëjë”, theksoi ministri Prifti, në shërbim edhe të zbatimit të marrëveshjes që OSSH ka me Qeverinë Shqiptare për furnizim 100 për qind dhe pa ndërprerje për të gjithë konsumatorët shqiptarë. Ministri theksoi edhe angazhimet e tij kundrejt kësaj situate për OSSH, duke mos krijuar penalizime të asnjë konsumatori që paguan. Për këtë z. Prifti ka shpallur edhe një numër telefoni në dispozicion të konsumatorëve për stakime të padrejta të energjisë në zona të ndryshme të vendit. Mënyrë kjo që shërben edhe për monitorimin e zbatimit të koncesioneve të dhëna bizneseve të ndryshme me qëllim prodhimin e energjisë, rritjen e kapaciteteve dhe rritjen e përgjegjësisë së biznesit kundrejt shërbimit që ato kryejnë. Prandaj, ministri Prifti i bëri thirrje edhe OSSH, duke i bërë të qartë se edhe detyrimet dhe pagesat ndaj OSSH-së do të kryhen vetëm pasi kjo e fundit, në bashkëpunim me qeverinë, të ketë bërë rakordimet dhe faturat.
 

 
Skema e kompensimit të energjisë
290 mijë familje shqiptare do të kompensohen si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Vlera e kompensimit të çmimit është e plotë dhe përkatësisht 960 lekë në muaj dhe në total arrin shifrën 1.7 miliardë lekë në shërbim të familjeve që janë me ndihmë ekonomike, familjet që janë me pagesa papunësie, familjet e invalidëve, familjet e jetimëve, familjet pensioniste, si dhe familjet e buxhetorëve që kanë rrogën nën 35 mijë lekë në muaj. 
“Ky kompensim përfshin të gjitha rritjet që janë bërë nga vitet e kaluara, duke përfshirë këtu edhe rritjen që do të bëhet për vitin 2010, çka është planifikuar dhe përfshirë edhe në buxhetin e këtij viti”, theksoi z. Prifti. Nga ana tjetër, ministri ka nënvizuar faktin se nuk do të hasen shqetësime apo probleme gjatë realizimit të këtij procesi.
Rreth 79 për qind e familjeve shqiptare konsumojnë më pak se 30 kilovat/orë energji në muaj. Pra, për 79 për qind të familjeve shqiptare rritja e çmimit nuk është 13 për qind, por është vetëm 10 për qind, sepse pjesa nga 0-300 kilovat/orë energji në muaj është rritur vetëm 10 për qind dhe çmimi nga 7 lekë që ka qenë, është bërë në 7.7 lekë, sqaroi z. Prifti.
“Prandaj do të doja t’ju thosha që ky subvencion dhe kjo mbështetje nga buxheti është dhe do të jetë e sigurt gjatë gjithë vitit 2010 për të gjitha këto familje”, ka nënvizuar më tej ministri Prifti.
 
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›