E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kriza në Arsim solli "bumin" e shkollave private

01/02/2005  Në 10 vite, 125 shkolla jo publike

Kriza në arsim, pas viti 1997, solli "bumin" e shkollave private, 8-vjeçare dhe të mesme të përgjithshme. Por, ndërsa edukimi në shkollat shtetërore këto vite ka ecur, në disa prej shkollave private ka mbetur në vendnumëro. Disa shkolla nuk kanë mundur të fusin risitë e arsimit dhe mësimdhënies. Sipas Minstrisë së Arsimit, gjatë vitit të kaluar, sipas kritereve dhe procedurave të dhënies së lejes së funksionimit për institucionet arsimore jopublike Ministria e Arsimit, ka liçensuar 25 institucione jopublike në arsimin parauniversitar.

U hapën 10 shkolla të mesme jopublike, 11 në arsimin e detyruar jo publik si dhe 4 kopshte private. Para 10 viteve u hap shkolla e parë private, tani ky numër ka shkuar në 125 shkolla. Arsimi jopublik ka një rritje, në veçanti këto 6–7 vitet e fundit. Kjo rritje shpjegohet me ndikimin e disa faktorëve: Një shoqëri demokratike e orientuar drejt një ekonomie tregu nuk mund të mos krijonte shtratin e saj për arsimin jopublik. Vendet fqinjë, të cilët kërkuan të hynin në tregun e këtij arsimi. Tashmë shkollat private konkurrojnë arsimin shtetëror.

Kriza, nëpër të cilën kalonte e gjithë shoqëria, e në veçanti sistemi arsimor shqiptar, krijoi premisat për një rritje të shpejtë të numrit të shkollave jopublike. Shkolla dhe edukimi në 7–8 vitet e para të tranzicionit pësuan një goditje të rëndë. Shteti, kryesisht pas ’97, stimuloi dhe mbështeti hapjen e këtyre shkollave. Kriteret lehtësuese për liçensimin e shkollave jopublike ishin pjesë e politikave të zhvillimit e konsolidimit të sistemit arsimor në Shqipëri. Njëkohësisht shteti, nëpërmjet këtyre politikave, plotësoi arenën e konkurrencës në edukim me aktorë të munguar prej shumë kohësh. Aktualisht, institucionet shkollore të arsimit jopublik parauniversitar për nga funksioni, organizimi, përmbajtja, rezultatet, mund të përbëjnë modele. Megjithatë, një pjesë e institucioneve arsimore jopublike janë të krahasueshme për nga rezultatet me ato të shkollave publike. Dallojnë nga këto shkolla për më shumë siguri dhe komoditet në numrin e nxënësve për klasë. Inspektimet e vazhdueshme nga MASH dhe Drejtoritë Arsimore kanë vënë në dukje faktin se ka disa institucione arsimore jopublike me rezultate shumë të dobta në procesin e mësimdhënies, pajisjen me laboratorët për lëndët natyrore si dhe mangësi në literaturën që duhet të kenë bibliotekat e tyre. Një punë e veçantë duhet bërë nga stafi pedagogjik i këtyre shkollave për të mbushur boshllëqet që kanë në përgatitjen e tyre nxënës që vijnë nga zonat rurale.

Eshtë konstatuar në disa raste që disa nga këto institucione nuk njohin dhe respektojnë autoritetin e shtetit në hartimin e zbatimin e strategjive të zhvillimit, që janë specifike për to, pasi, tek e fundit, kanë një mision të përbashkët: të mësuarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›