Rraklli: Me Vllazninë, mjafton edhe një pikë
01/02/2005 Të mërkurën Kampionati do të rezervojë një tjetër sfidë, me të vërtetë shumë interesante. Në “Loro Boriçi”, përballë Vllaznisë vendase do të vihet Tirana. Sulmuesi, Altin Rraklli, i ardhur vetëm këtë sezon, në skuadrën kampione shprehet se, sfida e kësaj mesjave është me të vërtetë shumë e vështirë, edhe për faktin se përballë, këtë radhë do të gjejnë një Vllazni, shumë të motivuar. “Mendoj se kjo e së mërkurës, do të jetë një sfidë me të vërtetë shumë e rëndësishme për skuadrën tonë. Përballë gjejmë një Vllazni shumë të motivuar e që në këtë përballje do të kërkojë me çdo kusht, të marrë tri pikët. Megjithatë, edhe në këtë ndeshje do të shkojmë me qëllimin e vetëm, për të marrë një fitore, edhe pse këtë radhë mund të kënaqeshim me një barazim. Në një farë mënyre, mund të themi se faza e tretë e Tiranës fillon pikërisht në këtë ndeshje, kundër kuqebluve”, vijon më tej sulmuesi bardheblu. Në fazën e dytë të Kampionatit ishin pikërisht dy golat e shënuar nga sulmuesi që mbron edhe ngjyrat e Kombëtares që i dhanë fitoren skuadrës bardheblu. Megjithatë, Rraklli pranon faktin se çdo sfidë është ndryshe, dhe edhe në këtë të radhës, mbi të gjitha në fushën e lojës do të shihet një futboll me të vërtetë shumë cilësor. “Mendoj se ndeshja e fazës së dytë i takon fazës së dytë. Ne tashmë mendojmë vetëm për këtë sfidë të radhës, duke ditur edhe faktin se Vllaznia do të futet në fushën e lojës, me qëllimin e vetëm për të marrë tri pikët. Është e sigurtë se në këtë përballje, shkodranët do të hidhen në sulm e ne duhet të dijmë të përfitojmë mirë nga ky fakt”. Megjithatë, duket se këtë radhë, detyra për skuadrën kampione do të jetë më e vështirë, se shkodranët vetëm në këto ditët e fundit, kanë bërë përforcime në repartin e mbrojtjes. “Për mua ka shumë pak rëndësi një fakt i tillë. Në karrierën time si futbollist kam pasur përballë shumë mbrojtës. Besoj se, edhe në këtë ndeshje të radhës, unë do të arrij të bëj detyrën time. E them këtë, edhe për faktin se një fitore për Tiranën, në Shkodër, është shumë e rëndësishme. Ne duhet të arrijmë të mbajmë diferencën 7-të pikë me Elbasanin e për të bërë diçka të tillë, duhet të marrim tri pikët në Shkodër. Ky është objektivi ynë për këtë ndeshje, por siç e thashë edhe më lart, edhe një barazim në këtë sfidë, mund të quhet i pranueshëm, pasi luajmë përballë një skuadre që është më shumë se një rivale”. Ndërkohë, pasi ka munguar në dy ndeshjet e fundit të Tiranës, Rraklli kundër shkodranëve do të rikthehet në formacion. “Në këtë ndeshje do të luaj madje, që nga minuta e parë. Kam shumë kohë që përgatitem me intensitet maksimal për këtë sfidë e do të jem i pranishëm, pasi kjo e fundit është një trampolinë për ndeshjen e ardhshme të Kombëtares kundër Ukrainës”, përfundon sulmuesi Rraklli.