E Hënë, 2 Nëntor 2026

Spitalet, gati gjeneratorët

01/02/2005  Duke qenë se Spitali Ushtarak dhe QSUT janë në gjende gatishmërie nuk iu janë prerë dritat

Për reaminacionet dhe sallat e kirurgjisë janë bërë gati gjeneratorët

Për të mos ndërprerë punën në reaminacion dhe në sallat e kirurgjisë së spitaleve në Tiranë janë gati gjeneratorët. Ato vihen në punë menjëherë sa ikin dritat. Por, kjo është vetëm një pjesë e zgjidhjes, pasi, ndërsa ikin dritat, mes një operacioni, sa të vihet në punë gjeneratori kalojnë disa çaste, aparaturat pushojnë e ndërkohë mund të pushoj dhe zemra e pacientit. Megjithatë, KESH këto ditë nuk e ka ndërprerë energjinë të paktën për spitalet e Tiranës. Kështu thonë drejtorët e këtyre spitaleve. Në reaminacion ka njerëz që marrin frymë e jetojnë vetëm në sajë të një aparature dhe ndërsa ikin dritat e vënë gjeneratorin duhet patur shumë kujdes, ndonëse këto aparatura punojnë me energjinë e rezervuar, derisa të vihen në punë gjeneratorët, por sidoqoftë kjo punë s'mund të bëhet shpesh, thonë mjekët. Ndërsa vihet në punë gjeneratori, kirurgët apo reminatorët janë të detyruar të punojnë me të me orë të tëra. Ka disa vite që gjatë dimrit, për orët kur ikën energjia, Spitali Ushtarak dhe Qendra Spitalore Universitare vënë në punë gjeneratorët. Duket se gjeneratorët me naftë janë zgjidhje për çdo gjë në Shqipëri, nga karikimi i celularit deri te ndërhyrjet kirurgjikale. "Aktualisht nuk kemi patur probleme me drita, kemi patur 24 orë rresht. Kemi dhe gjeneratorë, por s'e kemi vënë në punë", thotë Bajram Bega, drejtori i Spitalit Ushtarak në Tiranë. Ndërkohë dhe në Qendrën Spitalore Universitare, disa spitale janë të pajisur me gjeneratorë, si Spitali i Sëmundjeve të Brendshme, Kirurgjia, Pediatria, Onkologjiku. Problemi i vetëm është që në momentin e duhur, punëtorët të kenë blerë dhe naftën dhe jo kur ikin dritat të nisen për ta siguruar. Problemet me dritat dhe gjeneratorët, dimrat e fundit duket se kanë qenë shqetësuese për mjekët, por ata nuk pranojnë të flasin për to, si për halle që i kanë hedhur pas. Edhe një pjesë e spitaleve rajonale janë të pajisur me gjeneratorë. I pari është vendosur në Spitalin e Korçës në vitin 1994, dhuratë e një shoqate bamirësie. Por, duket se nevojat janë të mëdha. Ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, është shprehur, para disa ditësh, se për vitin 2005 është bërë gati një fond për të blerë gjeneratorë. Duke qenë se spitalet në Tiranë janë në gjendje gatishmërie, për shkak të situatës në veri, Korporata Energjetike nuk iu ka ndërprerë energjinë. Në QSUT, drita nuk ka patur vetëm një ditë, edhe kjo për shkak të një defekti. Duke qenë se ishte ditë e ftohtë të gjithë pacientët kishin ndezur furnela elektrike dhe ndodhi avari, ndërkohë që kaldaja nuk funsiononte, për shkak të mosfurnizimit me energji. Të gjitha spitalet furnizohen me energji të linjës 6 KV. Duhej të ndërpriteshin operacionet një ditë që të niste puna për të instaluar linjën 20 KV.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›