E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lika i beson zgjedhjeve të vjetra

01/02/2005  Dje trajneri i ekipit Kombëtar Shpresa, Hasan Lika, ka shpallur listën e skuadrës, e cila do të përballet me Ukrainën, në datën 8 shkurt. Ashtu siç dihet, kjo ndeshje e ekipit Kombëtar Shpresa do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, të Shkodrës. Ndërkohë, që sipas të gjitha mundësive, grumbullimi i ekipit Shpresa do të fillojë që në datën 5 shkurt dhe do të bëhet në Ulqin të Malit të Zi, duke pasur parasysh, edhe faktin që ky qytet është shumë pranë Shkodrës. Megjithatë, nga Federata Shqiptare e Futbollit bëjnë të ditur se, ende nuk është vendosur se ku do të bëhet grumbullimi i ekipit Kombëtar Shpresa. Pritet që shumë shpejt, vetë shefi i sektorit të garave, Besnik Çela, të niset drejt Ulqinit, për të parë se si janë kushtet atmosferike në shtetin fqinj. Ndërkohë, në listën e bërë publike dje nga trajneri Hasan Lika, bie në sy fakti që është thirrur edhe sulmuesi i Tiranës, Pema. Ky i fundit është bashkuar me bardheblutë prej pak kohësh, pasi më parë militonte në kampionatin turk. Ndërkohë, bie në sy fakti që kësaj liste i mungon edhe mbrojtësi Dallku, pasi ky i fundit tashmë është grumbulluar me ekipin Kombëtar. Në listën e bërë publike për ndeshjen me Ukrainën, nga Lika, janë thirrur tre portierë, pesë mbrojtës, nëntë mesfushorë dhe katër sulmues.

Portierë: Ervin Llani, Ermal Gjondeda, Labinot Qosa Mbrojtës: Henri Ndreka, Alban Muça, Rrahman Hallaçi, Kristi Vangjeli, Klement Xhyra Mesfushorë: Hetlem Çapja, Edlir Tetova, Olsi Llakaj, Emiliano Barka, Gjergji Muzaka, Hamdi Salihi, Bledar Hodo, Vangjel Mile, Debatik Curri Sulmues: Pardid Xhihani, Denis Boshnjaku, Sokol Kaçani, Eldorado Pema

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›