E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza në Greqi, bankat humbin pikë në treg

Autori i Lajmit: Redaksia

Pesë bankat kryesore greke kanë rënë një shkallë më poshtë në klasifikimin nga Agjencia financiare Moodys, e cila gjykon se klima negative ndaj Greqisë ka kufizuar aksesin e bankave në fjalë në tregjet financiare. Sipas agjencisë, motivimi i uljes në klasifikim ka të bëjë me dobësimin e perspektivës makroekonomike të Greqisë dhe me pasojat që do të ketë ky zhvillim në sistemin bankar grek. Siç thekson agjencia, klima negative që dominon në tregjet ndaj Greqisë, ka kufizuar më tej aksesin e bankave në tregjet e obligacioneve, por edhe të blerjes së parave. “Mundet që masat shtesë që u morën për përballimin e dizekuilibrave financiare në nivel kombëtar, të ketë impakt pozitiv në plan afatgjatë, ndërkaq, sfidat fiskale do të ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik, në plan afatshkurtër deri dhe afatmesëm”,- thuhet në vlerësimin e agjencisë Moodys.
Kreditë
Agjencia vlerëson gjithashtu se performanca e ulët e kredive, që filloi në vitin 2008, do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, e ndoshta edhe për 2011-ën. Ndërkaq, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Zhan Klod Trishe, tha dje se ai pret që besimi i tregjeve ndaj Greqisë do të rritet.
“Kredibiliteti i masave të qeverisë greke do të njihet progresivisht dhe në mënyrë graduale nga të gjitha tregjet”,- tha zoti Trishe. Qeveria greke shpreson në një performancë më të shpejtë të masave shtesë që miratoi muajin e kaluar dhe uljen e interesave për huamarrjet e veta.
Financat
Ministri i Financave pranoi të mërkurën në mbrëmje se Greqia ende po merr kredi me interesa më të larta nga ato që dëshironte, por shprehu besimin se interesat do të ulen javë pas jave, si rezultat i masave dhe i zbatimit të planit të stabilitetit ekonomik. Ai tha se rezultatet e para pozitive do të fillojnë të duken në muajin maj.
Me optimizmin e palës greke bashkohet edhe komisioneri për Financat, Olli Rehn, zëdhënësi i të cilit tha nga Brukseli se “përpjekjet e Greqisë, mbështetja dhe vendosmëria e Bashkimit Evropian dhe të eurozonës, do të ndihmojnë gradualisht që të binden tregjet”,- tha zëdhënësi, duke theksuar se askush nuk pret që kjo të ndodhë brenda një dite. Ndërkaq, Komisioni Evropian e ka inkurajuar Greqinë që të vazhdojë me vendosmëri në rrugën e reformave ekonomike, duke theksuar se kjo është një nevojë imperative.

Ky lajm është publikuar: 02/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›