E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pascal Gallet, pianisti virtuoz, sonte me Chopin

Autori i Lajmit: Redaksia

Pianisti francez, Pascal Gallet, do të jetë në Tiranë sonte në mbrëmje për një koncert recital në Akademinë e Arteve. Me rastin e Pranverës Frankofone dhe festimeve me rastin e 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit polak, Frederic Chopin, Gallet do të interpretojë pjesë të ndryshme nga ky kompozitor, por edhe të tjerë si Bach, Debussy, Messiaen, Sancan, Jolivet etj. Pianisti Pascal Gallet u lind në Savoia. Shfaqja e tij e parë në ekran në moshën 10-vjeçare e inkurajoi më tej në rrugën e pianos. Në vitin 1987 ai merr një çmim të parë, që e shtyn të vijojë më tej udhën drejt muzikës. Gallet ka realizuar disa turne nëpër vende të ndryshme të botës, si Kanada, SHBA, Meksikë, Itali, Spanjë, Zvicër, Serbi, Kinë, Tajvan, Japoni, Brazil etj. Ai interpreton në salla të njohura si Gaveau, Theatre du Chatelet, Salla Moliere dhe Opera e Lionit, ku ka luajtur edhe krah personaliteteve më të njohur të muzikës franceze dhe ndërkombëtare. Pascal Gallet i shton repertorit të tij shumë krijime të kompozitorëve si Thierry Pecou, Henri Fourrès, Ëidmann, Sciortino, Dequing, Jevtic. Ai vlerëson dhe arsimin, ndaj edhe ka zgjedhur të japë mësime të rregullta në një konservator kombëtar. Qysh prej vitit 2001 ai është edhe drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar "Piano à Fontmorigny", që zhvillohet çdo vit në Cher. Pianisti francez është vlerësuar tepër edhe nga kritika. Alain Lompech, kritiku muzikor i gazetës “Le Monde” mbi sonatën e 2-të të Chopin të interpretuar prej Gallet, ka thënë: “Sonata, e krahasuar me emra të mëdhenj si Alfred Cortot, Serge Rachmanino, Martha Argerich, Nelson Freire, është një version i shkëlqyer, me gusto të ekuilibruar dhe pa miniera”.
Pranvera Frankofone
Ambasada Franceze në Tiranë, në bashkëpunim me Aleancën Franceze dhe ambasadat rumune, egjiptiane, greke, maqedonase si dhe institucionet kulturore në vend, do të sjellë aktivitete të shumta kulturore që nisin në datat 19 mars-7 prill 2010. Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë (20 mars) është rasti për të festuar frankofoninë, e ndërtuar në bazë të diversitetit kulturor, që është simboli të cilin ajo e mbron si një të drejtë fondamentale. Frankofonia ka luajtur një rol të rëndësishëm për UNESCO-n për të adaptuar Konventën mbi mbrojtjen dhe diversitetin e shprehjes kulturore, pasi shtetet që janë pjesë e kësaj konvente të bëhen partnerë të këtij organizimi. Është vokacioni i thellë i frankofonisë, që nëpërmjet gjuhës frënge në 20 mars të takohen të gjithë kontinentet dhe kulturat. “Frankofonia u ka rezistuar sprovave të kohës dhe ka ditur të rigjenerohet e reformohet duke ruajtur identitetin e saj jo vetëm falë angazhimit militant të gjithë atyre që i kanë shërbyer dhe e kanë përkrahur me besnikëri përgjatë këtyre dyzet vjetëve, por edhe falë gjuhës dhe vlerave të cilat na bashkojnë”. Me këto fjalë, sekretari i Përgjithshëm i Frankofonisë, Abdou Diouf, tregon për misionin e frankofonisë në të gjithë shtetet ku ajo përcjell kulturën dhe vlerat e gjuhës frënge. Shkrimtarja zvicerane me origjinë shqiptare, Besa Myftiu (pedagoge në Universitetin e Gjenevës) do të prezantojë librin “Rrëfime nga vendet e harruara”, shoqëruar prej këngëtares së muzikës xhaz Elina Duni dhe pianistit Gentian Rushi. Në programin e “Pranverës Frankofone” vihen re edhe projeksionet e filmave si: “Gjeli kokëprerë”, realizuar nga regjisori rumun Radu Gabrea , “Lufta mbaroi”, realizuar nga maqedonasi Mitko Pano, “Ujë dhe zjarr”, realizuar nga Kiro Urdin, “Misteret e Egjiptit” me Omar Shariff, realizuar nga Bruce Neibaur. Teatri, si një nga shtyllat e rëndësishme të këtij aktiviteti do të ketë pikëtakimet e tij me publikun me shfaqjet “Ishulli i të gjitha rreziqeve” nga Ann Rocard, interpretuar nga nxënësit e Liceut të gjuhëve të huaja Asim Vokshi në Tiranë, si dhe teatri në shqip “Sonte jam vetëm” nga André-Paul Antoine vënë në skenë nga Enver Petrovci, me aktorët Ilir Tafa dhe Niada Saliasi, një shfaqje që do të interpretohet në sallën “Çehov” të Teatrit të Metropolit në Tiranë. Priten koncerte recitale nga Pascal Gallet dhe koncert i Trios Alexis Rault- Alex Beaupain - Pierre Souchon . Organizuar nga ministria e Punëve të Jashtme Franceze dhe Shqiptare, “Pranvera Frankofone” do të ketë një lëvizje në shumë qytete të vendit si Tiranë, Korçë, Përmet, Shkodër, Elbasan, duke ruajtur një gjithëpërfshirje të aktiviteteve si koncerte, takime poetike, homazh për shkrimtarët francezë, teatër dhe performancë artistike.

Ky lajm është publikuar: 02/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›