E Diel, 1 Nëntor 2026

Tadiç: “Nuk shkelim vijat e kuqe për Kosovën”

Autori i Lajmit: Redaksia

Presidenti i Serbisë ka lëshuar një tjetër deklaratë për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës. Ai ka pohuar se Serbia nuk do të shkelë vijën e kuqe duke ndërmarrë hapa që njohin Kosovën si shtet të pavarur. Deklarata e Tadiçit është komentuar edhe nga disa diplomatë, të cilët kanë kritikuar qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Në deklaratën e tij Tadiç kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që “të respektojë dinjitetin e Serbisë”. Ai tha se Serbia “nuk është e gatshme të kalojë vijat e kuqe”, kur vjen puna tek Kosova, duke përsëritur se Beogradi respekton parimet e OKB-së.
Tadiç theksoi se takimet ndërkombëtare apo rajonale nuk mund të përdoren si mundësi për të pranuar “as drejtpërdrejt, as në mënyrë të tërthortë shtetet që nuk ekzistojnë”. I pyetur rreth takimit të ardhshëm të BE-së për Ballkanin, që do të mbahet në Sarajevë, Tadiçi tha se Serbia ishte e gatshme të gjejë zgjidhje praktike për pjesëmarrjen e të gjithë atyre që janë të përfshirë në procesin e vendimmarrjes në rajon, në mënyrë që të zgjidhen problemet dhe “të gjithë të ecim drejt anëtarësimit në BE”.
Komentet
Pak pas deklaratës së Tadiçit ka ardhur edhe komenti i Raportuesit të Parlamentit Evropian për Serbinë. Jelko Kacin ka vlerësuar se Serbia, “në vend të ballafaqimit real me të kaluarën. Sipas Kaçin, dërgimi i mesazheve të papërfunduara nuk është politikë evropiane dhe marrje përsipër e përgjegjësive për pajtim që Serbia dhe qytetarët e saj e meritojnë, dhe të cilat tërë rajoni tashmë prej kohësh e pret. Sipas tij, që deklarata të ketë qëllimin dhe vlerën e saj të vërtetë, nevojitet që Serbia të respektojë plotësisht vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe që në mënyrë eksplicite të pranojë se në Srebrenicë është bërë gjenocid. Mesazhi i papërfunduar të cilën Serbia e ka dërguar me deklaratën, për fat të keq, nuk i ka kontribuar plotësisht përballjes me të kaluarën dhe ndryshimit të atmosferës në rajon, është shprehur Kaçin.
Kandiç
Pa komentuar nuk është lënë edhe miratimi i rezolutës ku kërkohet falje për gjenocidin në Srebrenicë. Pika ku kundërshtohet është fakti se është shmangur fakti se ka pasur gjenocid, duke e konsideruar si masakër. Drejtuesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç, thotë se është e palejueshme çfarëdo polemikë nëse në Srebrenicë ka pasur ose jo gjenocid, sepse dy gjykata ndërkombëtare dhe një gjykatë kombëtare kanë provuar se atje është kryer gjenocid. Këto komente Kandiç i bëri për BBC-në me rastin e miratimit të Rezolutës në Parlamentin e Serbisë me të cilën u kërkohet ndjesë familjeve të mbi shtatë mijë personave të vrarë në vitin 1995 në Srebrenicë, por mungon cilësimi i masakrës si gjenocid. Ndërkaq, duke folur për Kosovën ajo tha se insistimi në mesazhin e politikës së ditës i zyrtarëve në Beograd se Kosova është pjesë e kësaj Serbie, e çon atë në vetizolim.

Ky lajm është publikuar: 02/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›