E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria thërret të dëshmojë Andi Belliun

Prokuroria e Tiranës ka thirrur që të dëshmojë sot në lidhje me ngjarjen e Gërdecit dhe aferën e trafikut të armëve, Andi Belliun, punonjës i punishtes së demontimit. Reagimi i prokurorisë vjen pasi Belliu dëshmoi në emisionin “Faktori Plus” në lidhje me trafikun e armëve dhe ngjarjen e Gërdecit.

Belliu tha se arkat me fishekë 56 nuk demontoheshin, por dërgoheshin në Rinas. Ai dëshmoi gjithashtu në lidhje me natën kur në Rinas do të shkonte gazetari i “NY Times”, dhe ishte e nevojshme që të largoheshin arkat me municion me mbishkrim kinez. “Filluam punë nga ora 23:00. Sa filluam punën, Dritan Minxolli, drejtori teknik, u çua shumë i shqetësuar nga gjumi. I tha përgjegjësit, Vangjelit ose, siç e ka emrin e saktë, Veiz Muçës.

Pasi Dritani urdhëroi Veiz Muçën, menjëherë u ndërpre aktiviteti normal i punës atë natë. U çua një kamion para hyrjes së kapanonit. Kamioni ishte blu dhe kishte pak xhamin e krisur përpara. Ka qenë një natë shumë e ftohtë dhe mbaj mend se xhami përpara ishte i ngrirë dhe nuk i punonin fshirëset. Kështu që Vangjeli (Veiz Muça) shkoi dhe mori një kovë me ujë të nxehtë dhe ia hodhi xhamit. Mbaj mend një moment, ku Dritani (Minxolli) i tha Vangjelit me urgjencë që të bënte gjithë punëtorët gati, për të qenë i përgatitur kur ai të kthehej nga Rinasi për të shkarkuar materialet. Atë natë Minxolli ka bërë tri rrugë. Kamioni i fundit ka mbaruar shkarkimin rreth orës 6 të mëngjesit...

Kamionët shkarkonin kuti metalike me mbishkrime kineze. Ishin nga këto kutitë me fishekë model 56. Unë, ngaqë kisha punuar te sharra, i njihja”, - tha Belliu në emisionin “Faktori Plus”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›