Kriza në Shqipëri, Banka Qëndrore ul normën e interesit
TIRANE- Zhvillimet e fundit në tregun e kredive dhe sinjalet jo fort optimiste që po shfaq ekonomia e brendshme, e kanë nxjerrë Bankën Qendrore në vendimin për të ulur normën e interesit. Banka e Shqipërisë, pritet që të ulë së shpejti normën e interesit për lekun me 0.5 përqind duke e argumentuar këtë si një masë për të lehtësuar kreditimin dhe për të nxitur ekonominë, e cila po ndjen presionin negativ të krizës globale. Kjo do thotë se tashmë norma bazë e interesit të kredive do të jetë 5.75 për qind. Pritet që ky vendim të zyrtarizohet gjatë së mërkurës së ardhshme, pasi të shyqrtohet nga Këshilli Mbikqyrës. Nëse aprovohet nga ky Këshill, atëherë bankat private do të mund të marrin hua nga Banka Qëndrore me interesa më të ulëta. Në fakt ky nuk është një propozim që bëhet për herë të parë, pasi ulja e normës është kërkuar më parë edhe nga disa banka private, të cilat, shkojnë edhe më tej, duke kërkuar një politikë edhe më agresive nga Banka e Shqipërisë në këtë drejtim. Por vendimi për uljen ose jo të normës së interesit të kredive është diskutuar për disa javë në Bankën e Shqipërisë duke përplasur dy grupe ekspertësh që nuk ndajnë të njëjtat mendime për këtë çështje. Një pjesë e ekspertëve që merren me hartimin e politikave ekonomike që do të ndjekë Banka e Shqipërisë ishin dakord për uljen e normës, duke e parë këtë veprim jo vetëm si një masë për të parandaluar rënien e shpejtë të çmimeve, por edhe për të furnizuar bankat me më shumë likuiditet dhe me kosto më të ulët. Por nuk ndajnë të njëjtin mendim me ta një pjesë tjetër ekspertësh. Sipas tyre, efekti i kësaj mase në uljen e interesave të kredive për qytetaret dhe bizneset mund të jetë i papërfillshëm. Përkundrazi, argumentojnë ata, një ulje e normës bazë mund të ketë disa pasoja të tjera jo pozitive për ekonominë, ku më kryesorja do të ishte ajo e dobësimit të lekut. Megjithatë banka ka marrë tashmë një qëndrim përfundimtar. Dhe nëse ai do të zyrtarizohet edhe nga Këshilli Mbikqyrës, atëherë duke filluar që nga kjo e mërkurë bankat private do të marrin hua nga Banka Qendrore me interesa më të ulëta. Por ajo që mbetet për t'u provuar është nëse kjo ulje do të transmetohet nga bankat tek kreditë që ato japin për biznesin dhe qytetarët.
(e.n/News24/Balkanweb)