E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Bleona Matës, nisin kërkimet edhe në Itali



TIRANË - Kërkimet për 6-vjeçaren e humbur pasditen e 22 majit në Zapod të Kukësit nuk janë ndërprerë, ndërsa hetimet janë shtrirë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Greqi dhe me anë të Interpolit, edhe në Itali. Drejtori i Policisë së qarkut të Kukësit, Sadri Ramçaj, u shpreh dje se, “forca të shumta të Sigurisë Kombëtare të Kosovës, Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, efektivë të kufirit tokësor, shërbime të Emergjencave Civile në prefekturën e Kukësit janë angazhuar në kërkimet për gjetjen e 6-vjeçares së humbur". Lidhur me këtë ngjarje, Ramçaj tha se krahas angazhimit të strukturave të Policisë së Shtetit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet përkatëse. Bleona e vogël kishte insistuar të shkonte në bjeshkë pasditen e 22 majit, ku kullotnin bagëtitë kushërirat e saj. Më pas zhdukja pa gjurmë, sikur mali të ishte çarë, të kishte përpirë vogëlushen. Xhupi i 6-vjeçares do të mbetej e vetmja provë mbi të cilin Bleona kishte qenë e ulur në minutat e fundit.
Disa ditë më parë u sollën për herë të parë dëshmitë e vajzave, të cilat vogëlushja i kishte ndjekur nga pas në mal pasditen e 22 majit. “I thashë të kthehej në shtëpi. Kur ktheva kokën pashë Bleonën të vinte pas meje. Ajo qante dhe kërkonte që të më vinte pas. Atëherë e ndihmova të kalonte rrugën e keqe. E çova te Alketa (halla e vajzës). E ulëm te xhupat për të pushuar dhe të gjithë zunë pozicionet e veta për të marrë bagëtitë”, - dëshmoi Qamile Mata, kushërira e Alketës. “Rudina me qengjat e saj në atë çast ishte shumë afër vajzës. Ndërsa unë çdo 5-10 metra i bërtitja Lonës. Një moment ajo më tha pse më bërtet se s’të kam bërë gjë? Për herë të dytë kur e thirra nuk më dha përgjigje“, - vazhdon dëshmia. Ndërsa Alketa (halla e vogëlushes) thotë se i kishte parë Qamiles të mbante në dorë dhe xhupin e Bleonës dhe e kishte pyetur për të. “Bleona duhet të ketë shkuar në shtëpi”, - dëshmon Alketa, e cila më pas shton se pasi ishte informuar në shtëpi se 6-vjeçarja nuk ishte kthyer, kishte kontrolluar gjithë zonën.

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›