E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti, fusha te “Ali Demi” do të kthehet në pistë patinazhi



Fusha e “Ali Demit” në kryeqytet do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë të saj. Fusha e mbetur në mëshirë të fatit tashmë pritet të kthehet në një kënd të përshtatshëm, ku mund të pushojnë dhe të argëtohen të gjitha moshat. Ndërkohë që do të ketë një zonë sportive, me një pistë patinazhi, për të rinjtë dhe fëmijët. Projekti i Bashkisë së Tiranë do t’u sjellë kryeqytetasve pistën e parë të patinazhit shtetëror. Nëse para disa kohësh kjo fushë ishte kthyer në një vend të braktisur, madje dhe një shesh për grumbullimin e mbeturinave, tashmë nëpërmjet rikualifikimit urban, një projekt i Bashkisë së Tiranës do t’i ndryshojë pamjen, duke u shndërruar në një park. Projekti përfshin mundësinë e qëndrimit për të gjitha kategoritë e qytetarëve të lagjes “Ali Demi” dhe sidomos për t’iu ardhur në ndihmë moshave të treta. Kryebashkiaku Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së punimeve, i cili theksoi se pjesa e fushës sportive do të transformohet dhe do të shërbejë për komunitetin. “Ky komunitet kërkoi me këmbëngulje që kjo ish-fushë e kthyer në një vend mbeturinash dhe asnjë lloj aksesi për komunitetin ta kthejë në një mjedis në dispozicion të komunitetit dhe ne sot i hapim udhë një projekti i cili do të transformojë të gjithë territorin në dispozicion të më të moshuarve”,- u shpreh Rama. Sipas projektit të Bashkisë së Tiranës, pjesa më e madhe e parkut do të jenë një sipërfaqe e gjelbër. Ky investim i Bashkisë së Tiranës kap shifrën e 41 milionë lekëve. Punimet parashikohen të përfundojnë në janar të vitit 2009.

11 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›