Plani rregullues,shtyhet mbledhja e këshillit
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, e parashikuar të zhvillohej dje pasdite, është shtyrë për ditën e premte.
Shkak për këtë vendim është votimi i qeverise së re në seancën jashtë radhe parlamentare. Konfirmimi për vendimin erdhi nga kreu i Këshillit, Sokol Dervishaj. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak do të shqyrtohej plani rregullues të Tiranës.
Plani urbanistik do të jetë vendimi më i rëndësishëm i të gjitha kohërave që ky këshill do të marrë. Prej shumë kohësh ky plan ka shkaktuar debate dhe akuza të forta mes Partisë Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës. Maxhoranca e ka akuzuar Ramën se po e mban peng këtë plan, për interesa personale. Debatet pritet të jenë të forta edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku për herë të parë pas zgjedhjeve vendore të 2007–ës, Partia Socialiste nuk gëzon më maxhorancën, si pasojë e koalicionit mes Partisë Demokratike dhe LSI–së. Plani rregullues i Tiranës pritet të vendosë piketat mbi urbanistikën e metropolit. “Do të jetë një mbledhje e rëndësishme, që do të kërkojë kohën e duhur. Le të shpresojmë se debatet do të jenë konstruktive”, deklaroi kreu i këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj.