E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizmi, PE hedh hapin e parë për treshen ballkanike

 

Parlamenti Evropian diskutoi dje një “opinion jo-detyrues”, ku propozimet për liberalizmin e vizave për tre nga vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të miratohen nga ministrat e Drejtësisë dhe të Çështjeve të Brendshme të BE-së. Deputetët e Parlamentit të ri Evropian debatuan dje mbi liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, që mund të hyjë në fuqi më 1 janar 2010. Kjo ishte seanca e parë e Parlamentit Evropian. Kjo seancë pritet të zgjasë edhe më 17 shtator. Delegacione parlamentare të vendeve pranë liberalizmit morën pjesë në seancë. Parlamenti Evropian pritet ta miratojë rezolutën mbi liberalizmin e vizave në tetor, të ndjekur më pas nga votimi i anëtarëve të Parlamentit Evropian në nëntor. Procedura ligjore për anulimin e vizës duhet të lançohet në shtator në Komitetin për Liritë civile, Drejtësinë dhe çështjet e brendshme, pas vendimit të 15 korrikut të komisionit Evropian për t’i dhënë dritën e gjelbër anulimit të vizave për qytetarët e të tre vendeve. Komisioni Evropian dhe Presidenca suedeze e BE-së planifikon përfundimin e procedurave të Këshillit të Ministrave deri në fund të nëntorit, duke i dhënë mundësi ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të miratojnë propozimin e KE-së më 30 nëntor, të ndjekur nga anulimi i vizave më 1 janar. Maqedonia është vlerësuar si e gatshme për liberalizmin e vizave në zonën “Schengen”, Mali i Zi ka pak pika për të përmbushur ndërsa Serbia, sipas ministrit të saj të Brendshëm i ka përmbushur të gjitha kriteret. Ndërkohë, dje Parlamenti i ri Evropian votoi mbi mandatin e dytë të  presidentit aktual të Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso. Barroso, që ishte kandidatura e vetme, fitoi bindshëm mandatin e tij të dytë pesëvjeçar, duke premtuar angazhim më të fortë në miratimin e traktatit të Lisbonës, forcim të fushës energjetike të BE-së dhe më shumë integrim. Me 382 vota në favor të tij, 219 kundër dhe 117 abstenime nga 718 votues, Parlamenti Evropian ka zgjedhur dje në Strasburg Hose Manuel Durao Barroson. Vota ishte e fshehtë në bazë të Traktatit të Nisës, në pritje të referendumit irlandez mbi Traktatit e Lisbonës. Kjo do të thotë se mjafton një maxhorancë e thjeshtë, por edhe që numri i abstenimeve nuk merret parasysh në numrin e votuesve. Politikani 53 vjeçar i krahut të djathtë, Barroso ka luftuar për postin edhe pse ishte kandidat i vetëm. Kritikët e krahut të majtë, e kanë akuzuar atë se ka kënaqur qeveritë e vendeve të fuqishme, përfshirë Britaninë e cila e mbështet kandidaturën e tij dhe se ka reaguar dobët për krizën ekonomike. Për të kundërshtuar këto thënie, ai ka premtuar të vërë thekset më të mëdha në politikat sociale, luftën kundër papunësisë dhe zgjerimin e tregut evropian të punës. Rizgjedhja e Hose Manuel Barrosos si president i Komisionit Evropian duhet të konsiderohet një lajm i mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas analistëve politikë në Bruksel, cituar nga “Deutche Welle”, Barroso është një nga mbështetësit e fortë të zgjerimit të BE-së, veçanërisht kur bëhet fjalë për vende që i është premtuar anëtarësimi si Turqia apo Ballkani Perëndimor. Edhe presidenca e ardhshme e Bashkimit Evropian, Spanja, ka premtuar mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor duke e cilësuar prioritet. Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Moratinos, ka deklaruar se Ballkani do të jetë prioritet i politikës së saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›