E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza tek ndërtimi, rriten kostot, ulen pagat dhe të punësuarit

E. Senja

Përpos tkurrjes gjatë këtyre tre viteve të fundit, sektori i ndërtimit po përballet edhe me shtrenjtimin e lëndëve të para duke bërë kështu që të rriten edhe më tepër kostot. INSTAT publikoi dje Indeksin e Kushtimit në Ndërtim, ku vërehet se ajo është rritur me 0.3 për qind gjatë tre mujorit të katërt të vitit 2011 krahasuar me tre mujorin paraardhës. Kosto e ndërtimit është rritur gjithashtu krahasuar edhe me tre mujorin e katërt të vitit 2010.

Sipas të dhënave të INSTAT, grupi që është prekur më shumë është ai i materialeve të ndërtimit, të cilat përbëhet kryesisht nga çimentoja, hekuri, materialet elektrike dhe ato sanitare.

INSTAT lajmëron gjithashtu se kompanitë e ndërtimit ulën shpenzimet për paga duke shkurtuar vende pune gjatë viteve të fundit. Punonjësit që mbijetuan, u përballën me ulje të pagave. Numri i të punësuarve në ndërtim ra kryesisht gjatë vitit 2010, ndërsa kompanitë kanë vijuar me shkurtimin e shpenzimeve duke filluar me uljen e pagave për punonjësit e tyre përgjatë vitit 2011. Shpenzimet e kompanive të ndërtimit për pagat kanë renë me 1.1 për qind gjatë tre mujorit të fundit të 2011, raporton INSTAT.

Ndërtimi është përballur me tkurrje përgjatë viteve të fundit, e cila sipas BSH-së përllogaritet në rreth 25.6 për qind që prej 2008-s. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga ulja e importit për mallrat e ndërtimit. INSTAT publikoi disa ditë më parë Treguesit e Tregtisë së Jashtme për muajin janar, në të cilët vërehej rënie me disa qindra milionë e importit të hekurit apo çimentos.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›