Ngadalësohet punësimi, 868 të papunë të rinj brenda tre muajve
Ushtrisë së të papunëve në Shqipëri i janë shtuar edhe 868 të tjerë gjatë fundit të vitit të shkuar. INSTAT publikoi dje treguesit e punësimit përgjatë tre mujorit të fundit të vitit të shkuar, ku vërehet një rritje papunësie krahasuar me dy tre mujorët paraardhës. Sipas të dhënave, në fund të vitit 2011, në Shqipëri numëroheshin 142 950 të papunë, kundrejt 142 82 personave të regjistruar përgjatë tre mujorit të tretë të po këtij viti. E përkthyer në përqindje, sipas Institutit të Statistikave, papunësia gjatë kësaj periudhe arriti në 13.29 për qind nga 13.25 për qind që ishte përgjatë muajve korrik-shtator të vitit 2011. INSTAT ndërkohë, konfirmon se përgjatë periudhës tetor-dhjetor 2011 u punësuan rreth 2 500 persona, por ritmet e punësimit duket se kanë qenë më të vogla se sa shtimi i numrit të personave që janë të aftë për punë.
Tendenca rritëse e papunësisë ka filluar sërish që prej tre mujorit të katërt të vitit 2010. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor në tremujorin e katërt 2011 u rrit me 6.7 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit paraardhës, ndërsa nuk pati ndonjë ndryshim në numrin e të punësuarve në sektorin shtetëror dhe atë privat bujqësor që nga tremujori i tretë 2011, – deklaron INSTAT, ndërsa thekson se në sektorin publik nuk ka pasur rritje të punësimit gjatë periudhës në fjalë. Në fakt, qeveria e kishte deklaruar që prej verës së vitit të shkuar që nuk do të hapte vende të reja pune në kuadër të shkurtimit të shpenzimeve. Sipas INSTAT, sektori shtetëror ka që prej prillit të vitit të shkuar që nuk hap vende të reja pune.
Rritja e papunësisë ka sjellë ndërkohë edhe shtimin e numrit të personave që përfitojnë pagesës papunësie. Përfituesit e kësaj pagese sipas INSTAT ishte 9 247 persona në fund të vitit 2011. Kjo shifër është 839 persona më shumë krahasuar me tre mujorin e tretë. Pagesa e papunësisë është në nivelin e 6 850 lekëve në muaj.
Si numërohen të papunët?
Që të konsiderohesh i papunë, duhet minimalisht që personi të regjistrohet pranë zyrave të punësimit. Janë vetëm personat e regjistruar në këto zyra, që figurojnë si të papunë, ndërkohë që në të gjithë vendin ekzistojnë mijëra të tjerë, të cilët për një arsye apo për një tjetër nuk kanë mundur të regjistrohen. Edhe INSTAT, i referohet këtyre regjistrave tek deklaron shifrat e papunësisë në vend. Në metodologjinë që përdor INSTAT për të përllogaritur shifrën e papunësisë së Shqipërisë konsiderohen automatikisht të punësuar të gjithë ata që kanë në pronësinë e tyre tokë në fshat. Grupi në fjalë cilësohet si i vetëpunësuar në bujqësi. Nga rreth 932 mijë të punësuar që raporton INSTAT, rreth 506 600 prej tyre figurojnë si të vetëpunësuar në sektorin privat bujqësor. Presupozohet që personat që kanë tokë e shfrytëzojnë atë duke nxjerrë të ardhura për të mbajtur veten dhe familjen. Megjithatë, në të gjithë vendin gjenden hapësira të konsiderueshme toke që nuk shfrytëzohet, gjë e cila bën që numri i të papunëve të mos jetë ajo e deklaruar zyrtarisht. Një numër më i vogël personash, rreth 260 700, figurojnë si të punësuar në sektorin privat, kurse 165 000 të tjerë marrin rrogën nga sektori shtetëror.
