Kriza tkurr edhe bankat greke në Shqipëri
Tiranë- Të dhënat më të fundit zyrtare tregojnë se bankat greke po tkurrin me shpejtësi aktivitetin në tregun shqiptar. Sipas Bankës së Shqipërisë, pesha e bankave me kapital grek në tregun shqiptar të kredive ra brenda vitit me mbi 5 për qind. Shifrat e referuara në raportin e fundit mbi ndërmjetësimin financiar, tregojnë se në fund të vitit të kaluar bankat greke zinin vetëm 25 për qind të totalit të kredisë në Shqipëri, nga 30 për qind që kishin në fund të vitit 2010. Por pesha e bankave helene nuk po bie vetëm në kredi. Edhe depozitat kanë të njëtin ritëm. Në fund të nëntorit të vitit të kaluar bankat greke mbanin 17.9% të kursimeve të shqiptarëve, krahasuar me nivelin 19.3%, që mbanin në fund të vitit 2010.
Tregu që po lëshojnë bankat greke po fitohet nga bankat e tjera të huaja, që janë të pranishme në Shqipëri. Shifrat tregojnë se bankat e mëdha si Raiffeisen, Intesa dhe BKT janë duke marrë tregun e depozitave, ndërsa tregu i kredive po shkon tek bankat e vogla.
Sipas Bankës së Shqipërisë, pesha e bankave të mëdha në tregun e depozitave u rrit në rreth 69.5% në fund të vitit 2011, krahasuar me 58% që ishte një vit më parë, ndërkohë, portofoli i kredisë të tyre për të njëjtën periudhë u rrit me 1.5 pikë përqindje. Bankat e vogla kanë qenë më agresive në rritjen e portofolit të kredisë dhe brenda vitit kanë rritur me 3 pikë përqindje peshën e tyre në treg. Në muajin nëntor, pesha e tyre në tregun e kredidhënies arriti në 22.1%, nga 18 për qind që ishte në fund të vitit 2010.
Parlajmërime për tërheqje
Ekspertët kishin paralajmëruar që më parë se kriza e fortë që po kalon greqia do të shoqërohej edhe me rishimin e politikave të saj ekonomike në rajon. Pak ditë më parë mediat greke raportuan se Alpha Bank ka hyrë në negociata me Bankën Europiane për rindërtim dhe zhvillim për të shitur 30 për qind të degëve të saj në Europën Lindore, pasi është e detyruar të rrisë kapitalin. Sipas lajmit që u raportua edhe nga agjencia e njohur amerikane e lajmeve, Bloomberg, degët në Shqipëri, Bullgari, Rumani, Serbi dhe Maqedonia do të ndahen nga banka mëmë në Greqi për të krijuar një kompani të re, 30 për qind e të cilës do i shitet BERZH. Dega bullgare e Alpha-s e ka përgënjeshtuar lajmin duke deklaruar se ajo po shqyrton disa rrugë për të rritur kapitalin, por shitja tek BERZH nuk është një prej tyre. Qeveria greke është duke bërë presionin mbi bankat që të rrisin kapitalin për të përballuar humbjet nga falja e borxhit publik dhe kreditë e këqija. Mediat greke raportojnë se nëse vetë bankat nuk do të jenë të afta të gjejnë kapital shtesë, atëherë qeveria helene në krizë mund të detyrohet të nisë shtetëzimin e tyre.
Klodian Tomorri