E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, ulen me 23 për qind eksportet

 

FABIOLA ÇELA

Kriza globale financiare ka prekur edhe ekonominë shqiptare. Të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se eksportet e mallrave shqiptare kanë rënë ndjeshëm. Ndërkohë në rënie kanë qenë edhe të ardhurat e emigrantëve. Përveç këtyre monedha vendase ka humbur ndjeshëm terren ndaj euros dhe dollarit.
Kriza
Ashtu siç ishte paralajmëruar pak kohë më parë nga ekspertët e ekonomisë, kriza botërore financiare i ka dhënë efektet e saj negative edhe në ekonominë shqiptare. Së pari u vu re një rënie e dërgesave të emigrantëve. Ndërkohë sipas raportit më të fundit nga Instituti i Statistikave gjatë muajit dhjetor të 2008-ës janë eksportuar 6.969 milionë lekë mallra, me ulje 23.4 për qind në krahasim me muajin nëntor të 2008-ës dhe rritje me 4.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor 2007. E kundërta ka ndodhur me importet. Sipas INSTAT-it, gjatë dhjetorit janë importuar 43.156 milionë lekë mallra me rritje 11 për qind në krahasim me muajin nëntor 2008 dhe rritje 24.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor të 2007-ës. Për rrjedhojë, deficiti tregtar është thelluar edhe më tej. “Deficiti tregtar i këtij muaji është 36.187 mln lekë, duke shënuar një rritje prej 21.4 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 29.2 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007”, thuhet në raportin e INSTAT-it. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se gjatë muajit dhjetor kanë rënë eksportet e materialeve të ndërtimit të energjisë elektrike etj. Ndërkohë përfaqësues të institucione ndërkombëtare kanë paralajmëruar qeverinë shqiptare se kriza botërore ekonomike do të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike të vendit. Për Fondin Monetar Ndërkombëtar rritja ekonomike në 2009-ën do të jetë edhe më e ulët se parashikimi i kryer nga Fondi. Sipas tyre, për 2009-ën, në nëntor thamë se rritja ekonomike do të ishte 3.5 apo 4%. Por një gjë e tillë është kundërshtuar nga drejtuesit e Ministrisë së Financave, sipas të cilëve pavarësisht uljes së eksporteve të mallrave shqiptarë, rritja ekonomike e vendit nuk do të pësojë rënie. Për ministrin e Financave rënia ekonomike nuk do të jetë aq sa e ka parashikuar Fondi. Lidhur me krizën financiare që ka përfshirë shumë ekonomi të mëdha, Bode ka garantuar se qeveria ka marrë masat që efektet e krizës globale të jenë minimale në vendin tonë. Madje, sipas tij, për financimin e investimeve qeveria do të marrë hua 300 milionë euro nga bankat e huaja.
Kursi
Monedha shqiptare ka humbur dje sërish pikë ndaj euros dhe dollarit amerikan. Dje për herë të parë pas shumë kohësh në agjencitë e këmbimit valutor një dollar u ble me 99.8 lekë dhe u shit me 100.3 lekë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me monedhën evropiane. Dje në tregun valutor një euro u ble me 129 lekë dhe u shit me 129.5 lekë. Sipas ekspertëve të ekonomisë, zhvlerësimi i lekut ka ardhur si pasojë e kërkesës së lartë në treg për monedhën evropiane. Ndërkohë një tjetër faktor është edhe ulja e normës bazë të interesit, që bëri banka në fund të janarit. Aktualisht norma bazë e interesit është 5.75 për qind.

Magazinat doganore, Dervishi jemi ‘OK’

Biznesi duhet t’i kërkojë qeverisë që të rrisë numrin e magazinave doganore. Kështu është shprehur dje kreu i administratës doganore, Përparim Dervishi, gjatë një takimi me biznesin të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. “Për shkak të abuzive të bëra më parë numri i magazinave doganore u ngushtua. Ne jemi në favor të tyre, por kjo kërkon ndërhyrje ligjore. Duhet që biznesi të propozojë për zgjerimin e numrit të magazinave doganore”, është shprehur dje drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Dervishi. Çmimet e referencave dhe moskthimi i garancive të referencave ishin në qendër të diskutimeve mes biznesit dhe kreut të Doganave shqiptare. Sipërmarrësit janë ankuar se çmimet e referencave që përdorin doganat për mallrat e importit, shpeshherë shmangen nga kostoja reale e produkteve, duke i ngarkuar ato me kosto shtesë. Floreta Luli Faber, nga Dhoma Amerikane u shpreh se, “kemi patur pesë kompani me probleme për referencën. Këto kompani kanë sjellë produkte promocionale për reklamë me fatura krejt të rregullta, por me çmime ndjeshëm poshtë tregut dhe dogana i ka zhdoganuar me çmime reference”. Lidhur me shqetësimet e ngritura nga biznesi për çmimet e referencës, drejtuesit e Doganës u shprehën se, “shqetësimi i referencës së transportit është i drejtë. Po i rishikojmë këto probleme. Ndoshta ka lidhje edhe me rënien e çmimeve të karburantit dhe do të rishikojmë nivelin e referencës. Për garancinë bankare është një proces që e bën dega rajonale e doganës dhe kemi ndeshur probleme me kthimin e përgjigjes nga partnerët tanë”. Gjatë takimit të djeshëm, Dervishi deklaroi se bizneset e reja janë subjektet kryesore të analizës së riskut. “Bizneset e reja është mirë të mbikëqyren, pasi kemi të bëjmë me risk të madh”, tha ai. Lidhur me shtyrjen e TVSH-së për makineritë, Dervishi tha se kjo masë është lehtësi e madhe që i është bërë biznesit. Në këtë drejtim Dervishi theksoi se, “për shtyrjen e TVSH-së hapet një dosje në degën doganore dhe duhet një plan biznes”. Duke u ndalur në gjobat që bizneset i detyrohen doganave, Dervishi i ftoi ato të paguajnë detyrimet doganore, ndërsa theksoi se fushata për faljen e borxheve dhe të kamatë-vonesave, e njohur ndryshe si “amnistia fiskale”, përfundon në fillim të muajit prill.

Fullani: Sistemi bankar fitimprurës
Sistemi bankar shqiptar është i sigurt dhe fitimprurës. Kështu është shprehur kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një takimi të zhvilluar në Korçë. Në këtë takim Fullani përmendi se zhvillimet më të fundit të ekonomisë ndërkombëtare e bëjnë të domosdoshëm vlerësimin objektiv dhe me realizëm të situatës së përgjithshme ekonomiko–financiare të vendit. Duke i siguruar të pranishmit se ekonomia shqiptare funksionon në kushte optimale dhe se sistemi bankar është fitimprurës, i kapitalizuar dhe likuid, Guvernatori theksoi se takime të këtij lloji kanë për qëllim një komunikim sa më të mirë me publikun, për ta ndërgjegjësuar atë për rolin e Bankës së Shqipërisë në konsolidimin e mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë dhe financiarë. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për të monitoruar me kujdes të gjitha zhvillimet ekonomiko-financiare në vend, duke qenë e gatshme për të ndërmarrë veprimet e duhura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›