Meta: Berisha të takojë Ramën
ADI SHKEMBINjë ditë pas apelit të kreut të Komisionit Evropian, Helmuth Lohan, për zgjidhjen e krizës deri në fillim të 2010, zv.kryeministri Ilir Meta shprehet se një takim Berisha-Rama është pozitiv në këtë drejtim. Në një prononcim për mediat, kreu i diplomacisë shqiptare u shpreh se, kreu i qeverisë ka ftuar ndërkohë kryetarin e Partisë Socialiste, për të bashkëpunuar në procesin e integrimit të vendit. “Pa asnjë diskutim që çdo takim mes Kryeministrit Berisha dhe z.Rama është shumë pozitiv dhe z.Berisha ka ftuar edhe dje dhe jam i bindur që do ta ftojë vazhdimisht z.Rama, si kryetar i Partisë më të madhe opozitare, për të bashkëpunuar në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Jam i bindur se qeveria do të ecë në këtë drejtim konstruktiv dhe gjithëpërfshirës dhe shpresoj që edhe opozita të kontribuojë sepse i ka të gjitha mundësitë për të dhënë kontributin e saj në këtë proces shumë të rëndësishëm për të gjithë vendin”, u shpreh Meta. Në të njëjtën kohë kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh i gatshëm për të takuar kreun e PS-së, Edi Rama. “Unë jam i hapur në çdo moment dhe të jeni të sigurtë që maxhoranca është shumë e hapur për të bashkëpunuar me opozitën, absolutisht dhe me veprime konkrete dhe jo thjesht vetëm me deklarata, por natyrisht që duhet vullnet nga të gjithë, sepse e theksoj edhe një herë, momenti është i rëndësishëm dhe historik dhe duhen lënë gjërat e vogla përpara aspiratës kryesore që bashkon shqiptarët. Integrimi nuk i ndan shqiptarët në të majtë e në të djathtë”, theksoi më tej kreu i diplomacisë shqiptare. Meta e vlerësoi dorëzimin e pyetësorit nga ana e Komisionit Evropian si shumë të rëndësishëm dhe historik sipas tij “duhet të zgjojë energjitë më pozitive të gjithë aktorëve politikë në vend, por jo vetëm kaq, ai duhet të garantojë dhe gjithëpërfshirjen maksimale të të gjithë aktorëve politikë dhe socialë të shoqërisë civile dhe të ekspertëve më të mirë të vendit në të gjitha fushat e integrimit”.Marrëveshja me JaponinëMinistri i Jashtëm, Ilir Meta, nënshkroi dje një marrëveshje me ambasadorin japonez rezident në Romë, Hiroyasu Ando mbi zbatimin e projektit “Përmirësimi i Pajisjeve Mjekësore të Qendrave Rajonale të Urgjencës”. Në bazë të këtij projekti me vlerë 7.3 milionë USD do të modernizohen pajisjet mjekësore të qendrave shëndetësore në 12 qarqe të vendit. Në një prononcim për mediat, Meta tha se: “Do të përfitojnë 12 qendra të emergjencës mjekësore në të gjithë vendin, duke i rinovuar në mënyrë të veçantë me pajisje dhe me teknologji bashkëkohore”. Ndërsa ambasadori japonez theksoi se: “Ne do të vazhdojmë të japim një mbështetje sa më të madhe të mundshme ekonomike për Shqipërinë në të gjitha fushat”.