E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema për Policinë, funksionet e reja sipas gradave

Vitet që i janë llogaritur të gjithë drejtuesve për të parë nëse u takon grada. Funksionet e reja sipas ligjit të Policisë së Shtetit

Laureta Rryçi

Gati lista e policëve me funksionet korresponduese për gradat në Policinë e Shtetit. Brenda pak ditësh të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit do të njihen me gradën e re sipas funksionit që kanë. Gazeta “Albania” zbardh skemën e re të gradave në Policinë e Shtetit dhe postet që i korrespondojnë atyre. Kjo skemë do të jetë përcaktuese edhe për nivelin e pagave që do të përcaktohet për këtë kategori.
Gradat
Sipas ligjit të ri për Policinë e Shtetit, punonjësi i personelit të Policisë, i cili ka një vit e katër muaj shërbim, përfshirë këtu edhe periudhën e shkollimit policor, merr gradën “Inspektor”. Ky vendim përjashton punonjësit e policisë që janë në periudhën e provës. Ndërsa një punonjës që shërben prej 2 vjet e 8 muaj merr gradën “Kryeinspektor”. Në rast se ka një periudhë shërbimi prej 4 vitesh merr gradën “Nënkomisar”, duke përfshirë në këtë periudhë edhe shkollimin policor. Specialistëve të lartë të Policisë në detyrë u jepet grada “Nënkomisar” edhe në rastet kur nuk plotësohet vjetërsia në detyrë prej 4 vitesh. Për të marrë gradën “Komisar” duhet që një punonjës të ketë të paktën 6 vjet shërbim, ndërsa për gradën “Kryekomisar” duhet të ketë 8 vjet shërbim. Për të marrë gradën “Drejtues” një punonjësi të Policisë i duhet të shërbejë për 10 vjet në këtë profesion, ndërsa për të marrë gradën “Drejtues i Parë” duhet të ketë rreth 12 vjet e 8 muaj shërbim. Grada me lartë në këtë vendim është përcaktuar ajo e “Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm”, për të cilën një punonjës duhet të ketë rreth 15 vjet e 4 muaj shërbim që ta meritojë. Një pikë e veçantë e vendimit të qeverisë është përcaktimi se në funksionet e këshilltarit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, oficerit ndërlidhës ose pranë organizmave policore ndërkombëtare, mund të caktohet çdo punonjës policie, pavarësisht gradës që mban. Gjatë periudhës në këto funksione, punonjësi i Policisë ka të drejtë të fitojë gradën pasardhëse, sipas kritereve të përcaktuara.
Funksionet
Skema e re ka përfshirë në funksionet e nivelit të lartë drejtues funksionarët që realizojnë drejtimin teknik dhe administrativ, bashkërendimin dhe kontrollin brenda Policisë së Shtetit dhe që përfaqësojnë Policinë në marrëdhëniet me organet e tjera të administratës publike. Këto funksione janë dhe niveli më i lartë i menaxhimit të Policisë së Shtetit dhe kanë përgjegjësi për hartimin e politikave në një fushë të caktuar. Ndërsa në funksionet e nivelit të mesëm drejtues janë përfshirë funksionarë, të cilët bëjnë të mundur koordinimin e mendimit dhe opsioneve të reja politike për një fushë të caktuar të specialitetit. Ky nivel bën të mundur zgjidhjen e problemeve komplekse që lidhen me menaxhimin e projekteve të mëdha brenda institucionit. Në relacion gjithashtu bëhet e ditur se miratimi i këtij vendimi do të bëjë të mundur kalimin në sistemin e ri të gradave dhe dhënien e tyre sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në ligjin e policisë së shtetit.

Tabela
Inspektor Duhet të shërbejë një vit e katër muaj
Kryeinspektor Duhet të shërbejë 2 vjet e 8 muaj
Nënkomisar Duhet të shërbejë 4 vjet
Komisar Duhet të shërbejë 6 vjet
Kryekomisar Duhet të shërbejë 8 vjet
Drejtues Duhet të shërbejë 10 vjet
Drejtues i Parë Duhet të shërbejë 12 vjet e 8 muaj
Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm Duhet të shërbejë 15 vjet e 4 muaj

Funksionet e reja për gradë

Sipas vendimit të qeverisë, një punonjës në Polici me gradën “Drejtues i Parë” i korrespondon posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ndërsa grada “Drejtues” i korrespondon zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë si dhe drejtorit të Drejtorisë. Gradat “Kryekomisar” dhe “Komisar” u korrespondon drejtorëve në DPPSH-së, drejtorëve në DPQ, drejtorëve në AP, drejtorëve në IPSH, shefave të zyrës ndihmëse, si dhe drejtorëve të Qendrës së Përpunimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave.
Grada “Nënkomisar” u korrespondon shefave të sektorit dhe shefave të zyrës në DPPSH, shefave të sektorit në IPSH, shefave të sektorit në AP, zëvendësdrejtor në DPQ, drejtor në DRK&M, shef i zyrës Interpol Tirana, shef i qendrës “Antitrafik”, specialist në seksionin e menaxhimit të nivelit të mesëm e lartë, drejtues në AP si dhe specialist, asistent pranë zv/drejtorit për hetimin e krimeve. Grada “Kryeinspektor” u korrespondon kryekomisarëve, siç janë specialistëve në DPPSH, komandant në RSBC, specialist në ISHP, specialist në qendrën Antitrafik, shef sektori në DPQ, shef sektori në DRK&M, shef komisariati policie, shef komisariati në K&M, shef seksioni në AP, komandant në reparte speciale dhe ndërhyrjes së shpejtë, komandant i grupit të helikopterëve, shef i IPQP, specialist në seksionin e menaxhimit nivelit të parë, drejtues në AP, shef i strukturës autonome pranë DPPSH. Grada “Inspektor” u korrespondon komisarëve si shef seksioni në DPQ, shef seksioni në DRK&M, shef seksioni në komisariate policie, shef seksioni në komisariatet K&M, shef stacioni i K&M, shef seksioni në strukturat autonome në varësi të DPPSH, zëvendëskomandant në repartet speciale të ndërhyrjes së shpejtë, shef shtabi në repartet speciale dhe ndërhyrjen e shpejtë, shef i njësisë anti-eksplozivave, shef i njësisë së negociatorëve, shef i fluturimeve, komandat ekuipazhi, pilot, inxhinier teknik AS-350, teknik bordi fluturues mi-8, teknik mi-8, specialist në AP, shef seksioni në IPQP, shef seksioni në strukturat autonome pranë DPPSH-së.

Njohja me gradat e reja
Çdo punonjës policie, si në struktura qendrore, ashtu dhe në ato vendore, është njohur me përllogaritjen e bërë në përcaktimin e vjetërsisë së shërbimit si dhe i është dhënë mundësia e korrigjimit të gabimeve dhe të pasaktësive në lidhje me këto përllogaritje. Në përfundim të këtij procesi përllogaritës çdo punonjës Policie ka marrë informacion të plotë për rolin, gradën dhe funksionin që i takon në zbatim të këtij legjislacioni.
Sipas Prençit, procesi i kalimit në sistemin e ri të gradave nuk nënkupton ulje të numrit të përgjithshëm të punonjësve të Policisë, por synon zbatimin në mënyrë korrekte me sistemin e ri të gradave në Policinë e Shtetit. “Në këtë proces, i cili përfshin rreth 9700 punonjës policie, janë identifikuar një numër punonjës që nuk përmbushën kërkesat e vjetërsisë për gradë, si në strukturat me uniformë në polici, ashtu dhe në strukturat që kryejnë shërbime mbështetëse”, - ka shpjeguar pak ditë më parë në një konferencë shtypi kreu i Policisë së Shtetit, Prençi. Ndërkohë që shumica e këtyre punonjësve përmbushin kriteret për të vazhduar shërbimin në Policinë e Shtetit në funksione me grada më të ulëta, në përshtatje me aftësitë dhe përvojën e tyre. Po merren të gjitha masat e nevojshme për transferimin e këtyre punonjësve për të qëndruar në shërbim në pozicione të tjera, të përshtatshme për gradën që përfitojnë. Këta punonjës që nuk i përmbushin kriteret i përkasin kategorisë së punonjësve të Policisë të nivelit zbatues, të cilët për mosplotësim të kritereve ligjore, nuk do të mund të vazhdojnë të shërbejnë në Policinë e Shtetit.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›