E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Ne do fitojmë zgjedhjet e 28 qershorit



Demokratët akuzuan dje kryesocialistin Edi Rama për censurën që përdori në media ndaj sondazhit “Gani Bobi”, që nxirrte fituese të 28 qershorit Partinë Demokratike. PD-ja i bëri të qartë Ramës se nuk mund të ndryshojë realitetin t’i mbajë me mashtrime përfaqësuesit e mediave me premtimin se do t’i kandidojë në listën e 28 qershorit apo duke u dhënë leje ndërtimi. Duke pohuar faktin se PD-ja do të sigurojë një mandat të ri përmes zgjedhjeve të reja parlamentare, përmes zëdhënësit Gerti Bogdani, demokratët i bën të qartë Ramës se nuk mund të censurojë realitetin politik. Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, duke iu referuar sondazhit të qendrës prestigjioze "Gani Bobi" vuri në dukje se “PD është qartazi fituese në zgjedhjet e 28 qershorit, duke kryesuar ndjeshëm me 48.6% të votave”. Ai i kërkoi Ramës të mos trembet nga progresi i Shqipërisë dhe vlerësimet që qytetarët shqiptarë po i bëjnë qeverisjes së djathtë. "Z. Rama nuk duhet të ketë frikë nga sondazhet e pavarura, nuk duhet të ketë frikë se Shqipëria po ndryshon", - tha Bogdani. Zëdhënësi demokrat nënvizoi se z. Rama që kontrollon mediat me premtimin për përfshirje në lista deputetësh dhe anëtarë qeverie, dhe u jep leje ndërtimi për pallate në hyrje të Tiranës, nuk ka lejuar transmetimin e konferencës për shtyp të kësaj kompanie, një ditë më parë. Ai kujtoi se kompania "Gani Bobi" parashikoi me saktësi zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 dhe zgjedhjet lokale 2007. Ndaj Bogdani akuzoi: “Rama është censurues i fjalës së lirë, Mr. 20%, njeriu që po jeton frikën e dosjeve të krimeve të familjarëve të tij, urdhëroi Tele Belindën dhe Tele Pallatin, që i kontrollon me premtimin për listën e deputetit dhe anëtarë të qeverisë dhe u jep leje ndërtimi hyrjen e Tiranës”. Zëdhënësi i PD-së shtoi se Rama ushtroi diktat mbi mediat që mos ta transmetonin sondazhin e “Gani Bobit”. “Qytetarët i janë përgjigjur tri herë pyetjes se për kë do të votonin në zgjedhjet e ardhshme. Grafiku e tregon qartë, PD kryeson ndjeshëm me 48.6%”, - tha Gerti Bogdani. Sipas sondazhit të publikuar dy ditë më parë nga “Gani Bobi”, Partia Demokratike udhëheq me një avantazh prej 12 për qind më shumë se Partia Socialiste. Këtë përqindje publikoi dje qendra e njohur “Gani Bobi” e drejtuar nga publicisti kosovar, Shkëlzen Malizi. Kjo qendër ka organizuar në Shqipëri gjatë muajit dhjetor të vitit 2008, pra vetëm 1 muaj e gjysmë më përpara, një sondazh më të anketuar në të gjithë Shqipërinë. Të dhënat e sondazhit tregojnë se në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në muajin dhjetor, atëherë PD-ja do të fitojë në këto zgjedhje me avantazh të ndjeshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›