E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja kërcënon policinë: Do t’ju heqim nga puna



Një ditë pas shpalljes së sondazhit të “Gani Bobit” që nxjerr PD-në fituese të zgjedhjeve të 28 qershorit, socialistët bëhen agresivë, duke kërcënuar punonjësit e Policisë së Shtetit se nëse PS-ja vjen në pushtet, do t’i largojë nga puna. Kryetari i komisionit të ligjeve në PS, Ylli Manjani, akuzoi dje qeverinë se është duke krijuar policinë politike, deklaratë që është hedhur poshtë më parë nga Ministria e Brendshme. Por socialistët, përmes z. Manjani, bëjnë të ditur se po mbajnë nën vëzhgim punonjësit e rendit, duke i kërcënuar se në rast të ardhjes së të majtës në pushtet, do të ikin nga administrata shtetërore. “Të jenë të sigurt, të gjithë ata zyrtarë të rendit publik se po vëzhgojmë çdo ditë, orë e minutë të gjithë sjelljen e tyre. Policia politike do të largohet bashkë me Sali Berishën. Kurse shkelësit e ligjit do t'i dorëzohen drejtësisë”, - u shpreh Manjani në një komunikim me mediat. Pavarësisht akuzave, selia rozë e ka përdorur elementin e policisë elektorale për të ruajtur votat, jo vetëm kur ka qenë në opozitë, por edhe kur qeveriste vendin përgjatë tetë viteve. Në zgjedhjet e 2007-s, PS-ja krijoi një strukturë të madhe me ish-punonjës policie, të cilët sipas PS-së, do të ishin vigjilentë për të mos lejuar vjedhjen e votave nga e djathta. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2001, PS-ja krijoi një tjetër polici elektorale me përmasa edhe më të mëdha të shtrirë në të gjithë vendin. Por skandali më i madh i socialistëve me përdorimin e Policisë së Shtetit ishte ai i zgjedhjeve të vitit 2001, ku përmes dhunës policore, PD-ja humbi shumë nga mandatet e saj në atë periudhë. Të majtët përdorën militantët e vet për të krijuar një forcë rendi paralele me ato të strukturave të shtetit të cilat i kontrollonte vetë, pasi ishte në pushtet. Në atë kohë, opozita e atëhershme akuzoi policinë elektorale se kishte ndihmuar në vjedhjen e votave dhe si rezultat ndryshimin e rezultatit në favor të së majtës. Madje, opozita atëherë organizoi dhe mitingje për të kontestuar këtë fenomen. Edhe në 2007-n u përdorën kryesisht militantë të kësaj partie për të krijuar një strukturë të tillë. Sa për akuzat e selisë rozë, të cilat kanë qenë të shpeshta ditët e fundit, ka reaguar pak ditë më parë edhe Ministria e Brendshme, e cila mohoi pretendimin e socialistëve. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja, tha se deklarata e PS-së tenton të godasë politikisht një nga institucionet më të konsoliduara të shtetit ligjor, Policinë e Shtetit.

Paralajmërimi i PS-së vjen vetëm një ditë pasi sondazhet e tregojnë atë humbëse të zgjedhjeve të qershorit. Sondazhi i publikuar dy ditë më parë nga “Gani Bobi” tregojnë se Partia Demokratike ka epërsi të madhe ndaj Partisë Socialiste me 12%. Sipas sondazhit, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në muajin janar, PD-ja merr 49% të votave, ndërsa PS-ja 37% të votave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›