E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr flakë makina, vdes 27-vjeçari në Kërrabë



Etleva Delia

Një 27-vjeçar është djegur dje brenda në automjetin e tij, kur po kthehej nga Elbasani në drejtim të Tiranës. Makina, në të cilën ai ndodhej i vetëm, ka shpërthyer pasi është përplasur me murin anësor të rrugës, në krahun e majtë, duke kryer lëvizje kaotike përgjatë rreth 70 metrave. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30, në kilometrin e 27-të, pranë Qafë-Kërrabës, në segmentin rrugor Tiranë-Elbasan. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se paraprakisht ngjarja është klasifikuar si aksident, por ende po hetohen shkaqet e saj. Personi që ndodhej në makinë, është identifikuar me vështirësi, pasi trupi i tij ishte shkrumbuar totalisht brenda makinës. Edhe dokumentet në makinë ishin djegur, duke bërë akoma më të vështirë identifikimin. Grupi hetimor që po merret me ngjarjen, shpjegoi mbrëmë se paraprakisht viktima u identifikua si Ergys Lleshi, 27 vjeç, banues në Tiranë. Emri i tij u mësua pas verifikimit të targës TR 6135 L, të automjetit tip “Renault”, prodhim i vjetër. Policia sqaroi se një informacion përfundimtar në lidhje me viktimën, do jepet pasi të jenë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore.
NGJARJA
Në ora rreth 18:30, në sallën operative të Policisë së Tiranës, ka mbërritur një telefonatë, nga një drejtues mjeti që kthehej nga Elbasani në kryeqytet. Ai ka lajmëruar se gjatë rrugës, në kilometrin e 27-të, ka parë një makinë duke u djegur. Telefonuesi ka shpjeguar për policinë se ka ndaluar për të parë nëse mund të ndihmonte ndonjë person që ndodhej në makinë, por një njeri i vetëm që ishte brenda, kishte marrë flakë. Kaq ka mjaftuar për policinë dhe menjëherë forcat e rendit u nisën drejt vendit të ngjarjes. Në grupin e hetimit u përfshinë ekspertë kriminalistë, të Policisë Rrugore, nga Komisariati Nr.1, si dhe nga seksioni i Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Hetimet kanë nisur në disa pista kryesore, si atë të një zjarrëvënie të qëllimshme, një djegie aksidentale.
HETIMI
Nga veprimet e para hetimore të kryera dje, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit. Policia tha se mjeti është përplasur me murin anësor të rrugës dhe makina ka vazhduar të ecë edhe rreth 70 metra ngjitur me murin. Nga fërkimi i fortë dhe murin, makina duke qenë se ishte me benzinë ka marrë flakë dhe ka shpërthyer. Për 27-vjeçarin, që ndodhej në timon, ka qenë e pamundur që të dalë nga mjeti për t’i shpëtuar flakëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›