Shkëmbi çan tubin, Berati e Poliçani tre ditë pa ujë
BERAT/ DILAVER XHELILI
Prej tre ditësh, më shumë se 100 mijë banorë të Beratit, Poliçanit dhe të 10 fshatrave përreth janë pa ujë të pijshëm. Shembja e shkëmbinjve, si pasojë e rrëshqitjes së tokës ka dëmtuar rëndë tubacionet e ujësjellësit duke tharë kështu çesmat e qytetarëve. Mësohet se masive të mëdha shkëmbinjsh kanë rënë në tubacionin kryesor të ujësjellësit të Bogovës pas shirave të ditëve të fundit në zonën e Skraparit. “Një masiv shkëmbor i rënë të martën e kaluar në vendin e quajtur “Fusha e Ujit të Zi”, 40 kilometër larg qytetit të Beratit, është shkëputur nga mali dhe ka përfunduar në vendin ku kalonte tubacioni kryesor i ujësjellësit të Bogovës. Nga përplasja, tubacioni me gjatësi rreth 100 metra është dëmtuar, ndërsa uji ka shpërthyer me presion duke u derdhur jashtë”, bënë të ditur specialistë të ujësjellësit. Tubacioni kalon nëpër një reliev mjaft të thyer, çka e vështirëson së tepërmi zëvendësimin apo riparimin e tij për shkak të peshës dhe të përbërjes prej hekuri. Aktualisht banorët e Beratit konsumojnë ujë të blerë në pikat e shumicës, ndërsa ata që nuk kanë mundësi financiare e kanë gjetur zgjidhjen në burimet më të afërta me qytetet dhe zonat ku jetojnë. Sipas banorëve, prej tre ditësh ata e blejnë ujin që konsumojnë, ndërsa për nevoja të tjera familjare ata kanë përdorur me kursim ujin që kanë pasur rezervë nëpër depozita. Por tashmë edhe këto rezerva janë drejt mbarimit, ndaj ata bëjnë apel për ndërhyrje të shpejtë, pasi sot bëhet dita e katërt ku në çezmat e tyre nuk vjen asnjë pikë ujë. E njëjta situatë është edhe për qytetin e Poliçanit dhe në 10 fshatra të përreth saj ku banorët janë detyruar ose ta blejnë, ose ta mbushin në burime të tjera ujin e pijshëm. Drejtori i Ujësjellësit, Fatmir Shehu u shpreh dje se gjendja është e rënduar, ndërkohë që në vendin ku ndodhi defekti është mjaft e vështirë për të ndërhyrë me mjete për shkak të terrenit. “Ne si drejtori kemi ngritur një grup me specialistë dhe inxhinierë, të cilët janë duke punuar për të riparuar defektin. Për të përfunduar sa më shpejt do të punojmë me orë të zgjatura”, tha Shehu, por pa përcaktuar ditën e saktë se kur do të ketë ujë në çezmat e qytetarëve. Sipas specialistëve të ujësjellësit, tubacionet prej hekuri me një gjatësi të madhe është tepër e vështirë për t’i dërguar në këtë vend tepër të thepisur. Tubacionet kryesore, që furnizojnë qytetin e Beratit me ujë të pijshëm janë 30 -vjeçarë dhe si të tillë janë tejet të amortizuar. Mungesa e fondeve ka bërë që ato të dëmtohen në mjaft pjesë dhe shumë ujë të derdhet gjatë rrugës.