E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroaci, zjarr i përmasave të mëdha në ishullin Brac

ZAGREB- Zjarri në pyje, që ka rënë të enjten dhe që ka shkatërruar mijëra hektarë në ishullin e Adriatikut Brac, në Kroaci, është nën kontroll sot, njoftuan disa zyrtarë të shërbimeve zjarrfikëse të cituar nga radioja kombëtare kroate.

Megjithatë, zjarrfikësit do të qëndrojnë në gatishmëri, sepse meteorologët parashikojnë të ketë erë që mund të gjallërojë zjarrin, një nga më të mëdhenjtë që prej disa vitesh në Kroaci, bëri të ditur radioja.

Zjarri ra të enjten në jugperëndim të ishullit dhe shkatërroi rreth 4 000 hektarë pyje me pisha dhe ullinj, njoftuan shërbimet e ndihmës. Dhjetëra bagëti të imëta janë zhdukur në këtë zjarr. Zjarrfikësve do t'u duhen edhe rreth dy javë kohë për ta vënë plotësisht nën kontroll zjarrin, shtoi i njëjti burim.

Rreth 400 anëtarë të skuadrave të shpëtimit janë angazhuar në Brac. Ata kanë përdorur avionë dhe helikopterë për shuarjen e zjarrit që, sipas mediave lokale, është shkaktuar nga turistë të pakujdesshëm të cilët kanë përdorur barbecue.

Kryeministrja kroate Jadranka Kosor vizitoi sot ishullin Brac dhe njoftoi hapjen e një hetimi rreth shkaqeve të zjarrit. Afro 230 persona, shumica turistë, janë evakuuar të premten për shkak të zjarrit.

Që nga fillimi i korrikut, Kroacia po përballet me një valë të nxehti të madh që i kalon 30 gradët. Ishulli Brac është një nga destinacionet turstike më popullore në Kraoci. Industria turistike kroate, sektor kyç për ekonominë e vendit, është goditur nga kriza ekonomike botërore.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›