Polonia ul në masën 60 për qind, pensionet për ish-efektivët e shërbimit sekret të komunizmit
Ligji u nënshkrua nga presidenti i vendit Lech Kaczinski
TIRANE - Në Poloni ende efektet e ligjit të lustracionit janë prezentë. Jo vetëm kaq, por efektet e këtij ligji janë duke u pasuruar edhe me elementë të rinj, që synojnë vënien e drejtësisë dhe rehabilitimin viktimave të komunizmit në këtë vend.
Veprimi më i fundit është ai i Presidenti të Polonisë, Lech Kaczinski, i cili ka nënshkruar një ligj të miratuar në parlamentin polak, që redukton pensionet për oficerët e shërbimit sekret të komunizmit dhe zyrtarët më të lartë të regjimit. Ky ligj përfshin edhe liderin e fundit komunist Gjeneralin Vojciec Jaruzelski dhe disa zyrtarë të tjerë të cilët në vitin 1981 vendosën ligjin marcial për të shtypur lëvizjen e lirisë dhe solidaritetit që u shfaq hapur kundër regjimit.
Në bazë të ligjit të miratuar, pensionet mujore të oficerëve dhe zyrtarëve do të reduktohen me më shumë se 60 për qind dhe do t’i vendosë ata në të njëjtën linjë me pensionet që marrin njerëzit e thjeshtë, të cilat arrijnë deri në 1000 zlots, ose 290 euro.
Presidenti Kaczinski nënshkroi ligjin të premten, duke injoruar thirrjet e krahut të majtë në opozitë. Këta të fundit janë zotuar të apelojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Regjimi komunist në Poloni përfundoi në mënyrë paqësore në vitin 1989. Ligji i parë i lustracionit në këtë vend u miratua në vitin 1997 dhe 10 vjet më vonë u modifikua duke përfshirë hapjen e dosjeve për një sërë institucionesh.
Ndërkohë, në Shqipëri, prej disa javësh është miratuar ligji për lsutaracionin, i cili mundëson hapjen e dosjeve për bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe për persektutorët e ish-regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Miratimi i këtij ligji, është pasuar me kundërshtime nga ana e opozitës së majtë, e cila kundërshton largimin nga funksionet drejtuese të shtetit, apo edhe nga institucionet kryesore, të personave të lidhur me ish-regjimin, si bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit, apo edhe si persekutorë të këtij ish-regjimi.