E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca garanton zbatim korrekt dhe të paanshëm të ligjit të lustracionit

Në takimet me raporterët e KE-së

TIRANE - Raporterët e KE-së që kanë ardhur në Shqipëri u takuan dje edhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike dhe për veprimtarinë e Kuvendit. të Shqipërisë. Kryeparlamentarja bëri një ekspoze mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, mbi bazën ligjore dhe infrastrukturore të tyre. Ajo vlerësoi frymën e konsensusit politik për miratimin e kodit elektoral dhe për zgjedhjen e organeve që do të administrojnë zgjedhjet. Kryetarja e Kuvendit ftoi anëtarët e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të monitoruar nga afër këtë proces zgjedhor dhe shprehu vullnetin e plotë se prioritet mbi të gjitha prioritetet mbetet realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Më tej, kryetarja e Kuvendit bëri një paraqitje të gjithë procesit parlamentar, të diskutimit dhe miratimit, të ligjit të lustracionit. Ajo theksoi se ky ligj, pavarësisht nga historia e egër e krimeve të komunizmit në Shqipëri, është një variant edhe më i butë se në vendet anëtare të BE-së.
“Ky është një ligj i domosdoshëm, për t’u ndarë nga e kaluara dhe për të parë me besim nga e ardhmja”, theksoi ajo.
Kryetarja e Kuvendit garantoi se zbatimi i ligjit do të jetë transparent dhe në përmbushje të standardeve. Topalli ftoi me këtë rast përmes reporterëve, Këshillin e Evropës të monitorojë zbatimin e këtij ligji.
Raporterët e Këshillit të Evropës erdhën në Tiranë për të parë ecurinë e zbatimit të ligjit të lustracionit, dhe situatën e përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, ata zhvilluan takime me përfaqësues të lartë të shtetit dhe të partive politike parlamentare.
Zëvendëskryeministri Genc Pollo në një takim që ka pasur me raporterët  e Këshillit të Evropës i ka sigurua ata se qeveria do të garantojë zbatim korrekt dhe të paanshëm të ligjit të lustracionit. Zyra e shtypit pranë zëvendëskryeministrit, bëri të ditur dje se zoti Pollo, gjatë takimit me raporterët e Këshillit të Evropës, David Uilshire dhe Jako Lakso, u shpreh se “ligji i lustracionit bazohet  në dokumentet e Këshillit të Evropës dhe vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, me seli  në Strasburg, dhe i shërben synimit ndërkombëtarisht të mirëpranuar të shkëputjes nga e kaluara totalitare”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›