E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroacia do të heqë vizat me Shqipërinë brenda vitit 2009

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, shprehu mbështetjen për heqjen e regjimit të vizave midis dy vendeve deri në fund të vitit 2009. Deklarata erdhi gjatë një takimi në Kroaci me kryeministrin Sali Berisha. Në kuadër të vizitës së tij dyditore në Kroaci, Berisha u prit në një takim nga Presidenti kroat Mesiç, i cili vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. Duke u ndalur te vullneti i dyanshëm për bashkëpunim të ngushtë politik dhe ekonomik, presidenti Mesiç vuri në dukje se “po punohet për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, dhe konkretisht për transportin detar dhe atë ajror. Pala kroate po punon për përfundimin e autostradës transadriatike, si një urë lidhëse midis Evropës dhe Ballkanit Perëndimor. Jam i kënaqur që vendet tona po bashkëpunojnë në kuadrin e energjisë nukleare, e cila është më e pastra, por edhe e domosdoshme për të plotësuar nevojat e rajonit tonë për energji dhe për t i bërë vendet tona të pavarura nga aspekti energjetik. Përfshirja e sa më shumë vendeve në këtë projekt garanton një mundësi më të madhe suksesi për ta realizuar atë”,- tha presidenti Mesiç. Nga ana e tij, Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që presidenti Mesiç ka dhënë ndaj aspiratave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet, gjatë gjithë karrierës së tij politike. “Popujt tanë kanë një miqësi historike dhe ata së bashku po përjetojnë ngjarjen historike më të madhe, anëtarësimin në NATO, si fryt i një marrëdhënieje të shkëlqyer bashkëpunimi midis kombeve dhe qeverive tona”, - tha Kryeministri. Lidhur me integrimin evropian, Kreu i Qeverisë shqiptare vuri në dukje se “Shqipëria e sheh me shumë interes anëtarësimin e Kroacisë në BE. Kroacia e meriton atë, sepse i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret. Anëtarësimi i Kroacisë është i domosdoshëm për integrimin e mëtejshëm të të gjitha vendeve të rajonit”, - tha Berisha. Duke u ndalur te bashkëpunimi në turizëm dhe ekonomi, kreu i ekzekutivit shqiptar u shpreh se “Shqipëria ka krijuar kushte shumë të favorshme për investitorët kroatë, si taksat e ulëta dhe klimën e favorshme të biznesit”, - përfundoi Berisha.

Marrëveshjet e nënshkruara Kroaci-Shqipëri

Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve, në fushën ekonomike, diplomatike, si dhe mbi riatdhesimin e personave me qëndrim të paligjshëm. Marrëveshjet u firmosën nga përfaqësuesit përkatës të delegacioneve të dy vendeve, gjatë vizitës dyditore të kryeministrit Sali Berisha në Kroaci. Më poshtë vijojnë marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë dhe Kroacisë:
- Protokolli shtesë mbi amendimin e marrëveshjes për inkurajimin e mbrojtjes reciproke të investimeve.
- Amendimi i marrëveshjes së marrëdhënieve dypalëshe ekonomike.
- Marrëveshja për punësimin e anëtarëve të familjes së anëtarëve të trupit diplomatik dhe posteve konsullore.
- Protokolli midis Ministrive të Brendshme të Kroacisë dhe Shqipërisë mbi riatdhesimin e personave me qëndrim të paligjshëm.

Energjia bërthamore, Kroacia pro propozimit të Shqipërisë

Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, deklaroi se “Kroacia dhe Shqipëria do të diskutojnë për gjetjen e mundësive për të bashkëpunuar në projektin e energjisë nukleare, një projekt rajonal në modelin e Kërckos që kemi me Slloveninë”. Lajmi u bë i ditur në një deklaratë të Sanader me homologun Berisha. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha, Sanader u ndal te përpjekjet e përbashkëta të dy vendeve për të hyrë në NATO dhe BE. “Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Kroacisë në NATO nuk përbën vetëm vlerë në aspektin ushtarak, por ka një rëndësi të jashtëzakonshme në aspektin politik, si dhe për vijimësinë e integrimit në BE. Duke marrë parasysh që vendet tona para 20 vjetësh kanë qenë nën diktaturën komuniste, kjo është një ëndërr madhore e realizuar nga të dy kombet tona. Shpresojmë që në muajt e ardhshëm të ratifikohet plotësisht Protokolli i Anëtarësimit në NATO, në mënyrë që të shkojmë në Samitin e 60-të jubilar të Aleancës si vende me të drejta të plota. Me një rëndësi jetike për gjithë vendet e rajonit që aspirojnë një gjë të tillë, ndaj çdo pengesë për Kroacinë përbën pengesë për gjithë rajonin. Ne ramë dakord që të punojmë për të arritur liberalizimin e plotë të vizave mes vendeve tona brenda vitit 2009. Diskutuam edhe për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik, ku ramë dakord që të bashkëpunojmë për shtrirjen e gazsjellësit transadriatik në të gjithë rajonin, nëpërmjet Malit të Zi deri në Kroaci”, - tha Sanader. Kryeministri kroat informoi se “dy palët do të diskutojnë për gjetjen e mundësive për të bashkëpunuar në projektin e energjisë nukleare, një projekt rajonal në modelin e Kërckos që kemi me Slloveninë”, - përfundoi Sanader. Në takim u diskutua edhe për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik dhe u ra dakord që të dy vendet të bashkëpunojnë për shtrirjen e gazsjellësit transadriatik në të gjithë rajonin, nëpërmjet Malit të Zi, deri në Kroaci. “Sot ne firmosëm marrëveshje shumë të rëndësishme, por dua të theksoj se bisedimet tona ishin edhe më të frytshme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Përcaktuam linja të reja të bashkëpunimit në arsim, lëvizjen e lirë dhe turizmin. Por dua të veçoj bisedimet që patëm për çështjen e energjisë. E informova kryeministrin Sanader mbi ecurinë e bisedimeve të mia për gazsjellësin e TAP dhe për rezultatet qartësisht pozitive të tyre. Edhe gjatë vizitës sime në SHBA kërkova ndihmën e Sekretares së Shtetit Hillari Klinton dhe ajo shfaqi interes për këtë projekt. Me kryeministrin Sanader vendosëm të lobojmë së bashku për këtë projekt madhor”, - u shpreh Berisha gjatë konferencës për shtyp. Në këtë drejtim, Kryeministri shqiptar bëri të ditur se sot, në Tiranë, do të mblidhet Bordi i Konsorciumit të TAP, ku Kryeministri do t i informojë ata për bisedimet e bëra dhe për gatishmërinë e kryeministrit Sanader, për të bëshkëpunuar në këtë drejtim. Ky projekt, theksoi ai, është më efiçenti në aspektin ekonomik dhe më i shkurtri nga projektet e gazsjellësve, nga Deti Kaspik në perëndim. Kryeministri Berisha u shpreh se bashkë me kryeministrin Sanader vendosëm të punojmë së bashku edhe me vende të tjera të rajonit, si Mali i Zi, Bosnje – Hercegovina, Maqedonia, për të ndërtuar një central të përbashkët nuklear. Kroacia, nënvizoi Berisha, ka një model shumë të mirë atë të Kreckos me Slloveninë dhe nga të gjitha bisedimet e sotme jam më optimist se kurrë për të ardhmen e këtij projekti”. Gjithashtu, kryeministri Berisha, gjatë konferencës për shtyp, falënderoi kombin kroat dhe qeverinë kroate për mbështetjen që u kanë dhënë aspiratave të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe dinjitet.

Berisha-Bebiç
“NATO, Kroacia dhe Shqipëria vende në liri më të sigurt”

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kroaci, kryeministri Berisha u prit në një takim nga Kryetari i Parlamentit kroat, Luka Bebiç, i cili shprehu gjithashtu kënaqësinë që projekti i përbashkët i Kroacisë dhe Shqipërisë, integrimi në NATO po përmbyllet me sukses. Lidhur me projektet e përbashkëta të bashkëpunimit mes dy vendeve, Bebiç vlerësoi bashkimin e ideve për projektet energjetike në të dyja vendet, veçanërisht në dy projektet madhore, energjia nukleare dhe autostrada transadriatike. Kryetari i Parlamentit të Kroacisë vuri theksin në një pasuri të madhe që lidh të dyja vendet, që është deti Adriatik, duke theksuar se "të dyja vendet duhet të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur resurset e tij". Gjithashtu, ai shprehu gatishmërinë e Kroacisë për të ndarë me Shqipërinë eksperiencën e aplikimit për statusin e vendit kandidat për në BE, kjo si në nivelin qeveritar, ashtu edhe në nivelin parlamentar. Nga ana e tij, kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, të cilat, sipas tij, "po kulmojnë me integrimin në NATO". "Ky akt e bën të ardhmen e të dy vendeve tona në liri më të sigurt", - tha kryeministri Berisha. Ai u shpreh se e shihte me interes për gjithë rajonin edhe integrimin e Kroacisë në BE. Në këtë drejtim, ai vlerësoi gatishmërinë e palës kroate për të ofruar eksperiencën e saj për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit në BE. Në përfundim të takimit, Berisha u shpreh se "Shqipëria mirëpret kompanitë kroate që të investojnë në Shqipëri".

Ky lajm është publikuar: 11/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›