E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia fton Sejdiun në ceremoninë e betimit të Josipovic

ZAGREB- Presidenti i ardhshëm i Kroacisë, Ivo Josipovic, ka ftuar gjithë liderët e rajonit ballkanik në ceremoninë e betimit të tij, përfshi presidentin kosovar Fatmir Sejdiu dhe presidentin serb Boris Tadic. Ftesat nga Zagrebi janë dërguar pavarësisht kushtëzimeve dhe paralajmërimeve të bëra një ditë më parë nga presidenti serb Boris Tadic. “Ftesat për pjesëmarrje në inaugurim u janë dërguar të gjitha vendeve, me të cilat Kroacia ka marrëdhënie diplomatike”, ka deklaruar presidenti i ardhshëm kroat, Ivo Josipovic. Ceremonia e betimit të Josipovic bëhet më 18 shkurt. Presidenti i ri i Kroacisë ka thënë se “Zagrebi nuk bën dallime, ndonëse do të ketë mirëkuptim për nevojat specifike që Serbia ka lidhur me raportet me Kosovën”. Pas këtij qëndrimi zyrtar të Kroacisë, analistët thonë se ka shumë gjasa që Tadic të mos jetë i pranishëm në ceremoninë e betimit të Josipovic. Dy vendet tashmë janë në armiqësi pasi kanë padi të ngritura në Hagë kundër njëri-tjetrit, që përmbajnë akuza për genocid gjatë luftës së viteve 90. Një ditë më parë Tadic tha se do marrë pjesë në tryezat rajonale ku ftohet Kosova me kusht që ky vend të prezantohet si UNMIK-Kosova.(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›