E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: SHBA 50 mijë dollarë për zonat e përmbytura

TIRANE- Në përgjigje të situatës së krijuar nga përmbytjet në veriperëndim të Shqipërisë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaron se do të dhurojë 50,000 USD si ndihmë emergjence për të mbështetur ata që janë prekur më shumë. Fondet do t’i përcillen Kryqit të Kuq Shqiptar, i cili aktualisht po punon për të ofruar ndihmë për rreth 5,000 banorë në veri të vendit. Në përgjigje të përmbytjeve, Ambasada amerikane sqaron se po këshillohet ngushtë me qeverinë shqiptare dhe po bashkërendon me bashkësinë ndërkombëtare, jo vetëm mbi mënyrën për t’iu përgjigjur nevojave të menjëhershme të popullsisë së prekur, por edhe mbi kthimin eventual të banorëve në bashkësitë e tyre si dhe nevojën për përpjekje drejt rindërtimit dhe rimëkëmbjes. Gjatë vizitës së tij në zonat e përmbytura ditën e djeshme, ambasadori Uidhers u takua me zyrtarë që drejtojnë dhe kryejnë operacione ndihmë, si edhe me familje të prekura nga përmbytjet. Ambasadori Uidhers tha se kjo vizitë kishte ofruar një pamje nga afër të ndikimit të përmbytjeve dhe sfidave me të cilat përballen personat, familjet, banesat, bizneset. “Ne mundëm të takoheshim me shumë njerëz, jetët e të cilëve janë tronditur në rrjedhën e tyre normale, dhe vizita më ndihmoi të kuptoj shumë më mirë se me çfarë përballen familjët ndërkohë që u detyruan të evakuoheshin.” Ambasadori vlerësoi përpjekjet për ndihmë dhe mbështetje të menjëhershme që ofrohet nga qeveritë qendrore dhe vendore, OJQ-të, bashkësia ndërkombëtare, si dhe shumë të tjerë të përfshirë në përpjekjet e ndihmës. “Admiroj forcën dhe qëndrueshmërinë e atyre që janë prekur drejtpërdrejt dhe përgëzoj përpjekjet e shumta të shkëlqyera të shqiptarëve që po punojnë për të mbështetur ata që kanë nevoja urgjente tani,” tha ambasadori Uidhers.(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›