E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia tërheq ambasadorin nga Mali i Zi, shkak Kosova

BEOGRAD- Serbia tensionon marrëdhëniet me Malin e Zi fqinj, për shkak të Kosovës. Beogradi ka tërhequr ambasadorin nga Mali i Zi, pasi ky shtet sot vendosi marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremic urdhëroi menjëherë tërheqjen e ambasadorit Zoran Lutanovac nga Podgorica, të cilin e ka thirrur në Beograd për konsultime në lidhje me këtë cështje. Gjithashtu në kuadrin e kësaj proteste, ministria e Jashtme e Serbisë i ka paraqitur një notë proteste përfaqësuesit të Malit të Zi në Beograd. Në notën e protestës së Beogradit theksohet se vendimi i Podgoricës destabilizon rajonin dhe e bën edhe më të vështirë vendosjen e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve fqinje. Situata u tensionua pikërisht sot, pasi Podgorica njoftoi vendosjen e marrdhënieve diplomatike me Kosovën. Në shenjë simbolike dy ministrat e jashtëm të dy vendeve Milan Rocen dhe Skënder Hyseni shkëmbyen dokumentat përkatëse të njohjes së marrdhënieve. Ky hap duhet të pasohet nga dërgimi i ambasadorëve në secilin vend, por kjo do të varet nga një marrëveshje për pakicën malazeze që jeton në Kosovë, për të cilën Podgorica kërkon që ti njihet statusi i minoritetit. Mali i Zi njohu Kosovën në tetor 2008 bashkë me Maqedoninë.(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›