E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesocialisti Rama paralajmëron bojkotin e zgjedhjeve dhe protesta

Islami: Qeveria të heqë taksën e votës, të gjithë duhet të votojnë
Partia Socialist duket se nuk ka në plan të hyjë në zgjedhjet e 28 qershorit, duke u përgatitur për një bojkot të plotë të këtyre zgjedhjeve. Kryesocialisti  Rama ndodhet i papërgatitur për të hyrë në zgjedhjet e ardhshme dhe për këtë ka përgatitur strategjinë e bojkotit të këtyre zgjedhjeve. Tashmë hapi i parë është hedhur nga bllokimi i KZAZ, ku emrat e komisionerëve socialistë nuk janë paraqitur në KQZ. Paraqitja e emrave në KQZ duhet të ishte bërë që në datën 13 mars, afat që është shkelur nga kryesocialisti Rama. ndërkohë që ngritja e KZAZ duhet të ishte gati që në fillim të prillit. Kryesocialisti Rama duke qenë se nuk ka ndërmend të paraqis emrin e tij në listën e kandidatëve për deputet, duke krijuar handikapin e mungesës së ikonës  që do të udhëheqë fushatën në gjirin e socialistëve, ndjen vështirësi serioze për përballimin e fushatës elektorale. Duke parë humbjen e zgjedhjeve si një mundësi reale, kryebashkiaku dhe kryesocialisti Rama nuk pranon të lërë postin e kryebashkiakut duke e mbajtur këtë post si një mundësi për të ushtruar presion në PS ditën që do i kërkohet dorëheqja si kusht statutuor.  Mosdorëheqja e Ramës nga posti i kryebashkiakut tregon qartë para socialistëve realitetin dyshues të liderit të tyre për fitoren e 28  qershorit. Në kushtet aktuale të krijuara, kryesocialisti Rama në mënyrë të qëllimshme po përgatit bojkotin e zgjedhjeve nëpërmjet bllokimit të KQZ dhe sabotimit të procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti.Dita e djeshme ishte hapi i tjetër i Ramës për të paralajmëruar bojkotin e zgjedhjeve dhe daljen në protesta. Arsyeja e vetme sipas socialistëve është mospajisja e shqiptarëve me karta identiteti. Tashmë kryesocialisti Rama po tregon para shqiptarëve se megjithëse bëri një kod  elektoral sipas midesë së tij dhe dëshirave të Soros, politika e tij e re po kthehet në politikën e bojkotit, ndryshe çkishte premtuar gjatë katër viteve në krye të PS.  Pra në një farë mënyre socialistët me Edi Ramën në krye kanë vendosur të shtyjnë pafundësisht zgjedhjet parlamentare, duke ju referuar shembullit të zgjedhjeve të pushtetit lokal, të cilat u shtynë në shkurt të viti 2007. Edhe ky afat nuk kishte për tu realizuar pa kontributin e ish kreut socialist Fatos Nano.
Islami: Nuk ka zgjedhje pa karta identiteti
Taksa e zgjedhjeve është një kusht, i cili pengon qytetarët të votojnë. Deputeti i PS dhe njëkohësisht nënkryetar i komisionit Ad Hoc, Kastriot Islami shprehu shqetësimin e ecurisë së procesit zgjedhor, pasi taksa e kartave të identitetit rëndon në xhepat e qytetarëve në nevojë.  Kryeministri nuk do të mund të kontrollojë rezultatin e zgjedhjeve duke e kthyer në farsë provimin e madh të 28 Qershorit, deklaroi Islami. Ai tha se nuk mund të ketë zgjedhje po qe se edhe një shqiptar nuk arrin të votojë për shkak të taksës së votës. Islami iu ka  bërë thirrje njerëzve të përgatiten shpirtërisht për të shpëtuar demokracinë në rrezik me rezistencë paqësore. Askush të mos vonojë të aplikojë nëse e përballon taksën e votës, apelon Islami, duke shtuar se nga ana tjetër gjithkush që nuk e paguan dot këtë taksë të turpshme për shkak të varfërisë duhet të dijë se PS do të rezistojë me të gjithë mjetet demokratike për të garantuar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve. Ai tha se kryeministri pranoi gabimin e vendosjes së taksës së votës, por nuk ka marrë asnjë masë për heqjen e saj dhe nuk ka ofruar zgjidhjen e përshtatshme. Sipas tij, kjo zgjidhje e dhënë prej tij rezulton e cunguar, e komplikuar, konfuze dhe e pazbatueshme, pra, që vazhdon të mbajë peng procesin e pajisjes me karta identiteti të votuesve pa pasaportë. Në emër të PS, Islami përsëriti që të hiqet taksa e votimit dhe Karta e Identitetit për votuesit pa pasaportë të trajtohet si mjet identifikimi vetëm për votimin në 28 Qershor 2009 dhe se duhet të gjejë zgjidhjet e përshtatshme në përdorimin e saj për të gjithë shërbimet e tjera pas zgjedhjeve të përgjithshme. Islami deklaroi se asnjë masë serioze nuk është marrë dhe asnjë veprim i përgjegjshëm nuk është kryer nga ana e qeverisë lidhur më pajisjen e votuesve me karta identiteti. Islami bëri me dije se pas më shumë se tre muaj nga dita e fillimit të procesit zgjedhor, rrjeti i stacioneve të aplikimit është ende i pashtrirë plotësisht dhe në shumë komuna stacionet e aplikimit nuk janë funksionale. Sipas Islamit, ritmet e aplikimeve kanë rënë ndjeshëm dhe mbeten larg mundësive teknike e premtimeve për rreth 100 mijë aplikime në javë. Ndër të tjera, Islami deklaroi se edhe komisioni Ad Hoc kuvendor është paralizuar nga paaftësia e qeverisë për të dhënë në kohë informacion dhe mungesa e vullnetit për një proces transparent. Deputeti socialist e ka cilësuar të çuditshme shkresën e kompanisë Aleat, në të cilën nuk ka pranuar të japë informacion direkt dhe të dëgjohet në Komisionin Ad Hoc të Kuvendit, ndërkohë që është një kompani koncensionare që kryen një shërbim publik. Mbi këtë bazë, Islami tha se PS vlerëson se kapacitetet teknike të aplikimit në fillim të javës së ardhshme  do të ezauroheshin plotësisht dhe për rrjedhojë pajisja me karta identiteti e votuesve pa pasaporta do të rezultonte e kompromentuar dhe e dështuar. PS vlerëson se për shkak të paaftësisë deri më sot, por mesa duket edhe mungesës së vullnetin të qeverisë, problemi i pajisjes së votuesve pa pasaportë mbetet i pazgjidhur dhe shumë më i rrezikuar se asnjëherë tjetër deri tani. Gjendja është alarmante, u shpreh Islami. Ai deklaroi se nëse situata nuk ndryshon PS do të përshkallëzojë shprehjen e refuzimit ndaj këtij procesi tanimë qëllimisht të dështuar e të kompromentuar nga qeveria. Islami pohon se nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme dhe në përputhje me standardet demokratike pa zgjidhje të kësaj nyje që po mbyt zgjedhjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›