E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia për notën 10

Selektori i Kroacisë, Slaven Biliç lavdëron futbollistët e tij për paraqitjen e shkëlqyeshme në fitoren 3-0 kundër Turqisë, në ndeshjen e parë të barazhit për kualifikim në Euro 2012. Republika e Irlandës refuzon të festojë para kohe, pavarësisht epërsisë 4-0 ndaj Estonisë, ndërsa Mali i Zi paralajmëron se nuk është dorëzuar ende përballë Republikës Çeke. Bosnja dhe Portugalia besojnë për kualifikim.

Për herë të parë pas Euro 2008, reprezentacioni i Kroacisë deklasoi një kundërshtar të fortë duke mposhtur Turqinë 3-0 në Stamboll dhe bëri një hap të madh drejt kualifikimit për në Kampionatin evropian 2012 në Poloni dhe Ukrainë.

Selektori Slaven Biliç, i cili në kohën e fundit është ballafaquar me kritika të ashpra nga mediet dhe opinioni, kompletoi një formë hakmarrjeje.

“Kjo është fenomenale, e merituam të fitonim edhe me rezultat më të thellë. Kemi qenë pa gabim në çdo këndvështrim dhe deklasuan Turqinë, gjë që nuk kishte arritur të bënte askush, as Gjermania. Të gjithë luajtën për notën 10”, tha Biliç pas ndeshjes për HTV.

“Asgjë nuk ka marrë fund. Si ne, ashtu edhe ata kanë mbetur pa disa futbollistë të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit, andaj na pret punë e vështirë”, shtoi ai.

Në anën tjetër, homologu i tij, selektori i Turqisë, Guus Hiddink ka marr përgjegjësi të plotë për humbjen e thellë. “Jam përgjegjës për rezultatet. Futbollistët duhet të ekzekutojnë gjërat ashtu si duhet por marr përgjegjësi të plotë”, tha Hiddink për NTV Spor.

Nga ndeshjet e tjera, me rezultat edhe më të thellë se Kroacia, fitoi Republika e Irlandës në udhëtim te Estonia të cilën e mposhti 4-0. Por, selektori Giovanni Trapattoni refuzon të festojë tani.

“Macja është në thes por thesi nuk është i mbyllur. Kanë mbetur edhe 90 minuta të tjerë. Macja është ende e rrezikshme, është mace e çmendur. Duhet të jemi serioz”, tha ai.

Republika çeke është në epërsi 2-0 ndaj Malit të Zi por selektori Michal Biler paralajmëron se skuadra e tij është ende në gjysmën e rrugës.

“Jam shumë i lumtur për fitoren por ende jemi në gjysmën e rrugës për në Kampionatin evropian. Para nesh është një ndeshje e vështirë në Podgoricë pasi Mali i Zi është skuadër e cila luan shkëlqyeshëm në fushën e saj”, tha ai.

Por Mali i Zi nuk dorëzohet. “Do të jetë shumë vështirë por asgjë nuk ka marr fund. Shpresa jonë nuk vdes, kanë mbetur edhe 90 minuta e në futboll gjithçka është e mundshme. Nuk dorëzohemi, para tifozëve tanë mund të kompensojmë këtë disavantazh”, tha portieri i Malit të Zi, Mladen Bozovic.

E vetmja ndeshje në kuadër të barazhit që përfundoi pa gola, ishte ajo në Zenicë ku Bosnja e Hercegovina dhe Portugalia barazuan 0-0. Të dyja skuadrat besojnë në kualifikim.

“Luajtëm shkëlqyeshëm në pjesën e parë dhe kishim disa raste për shënim, ndërsa Bosnja krijoi vetëm një rast në gjithë ndeshjen”, tha selektori i Portugalisë, Paulo Bento.

“Ky është rezultat i padrejtë konsideruar atë që kemi bërë. Duhet të luajmë me guximin e njëjtë në ndeshjen e kthimit, ky është një rezultat i mirë por është gjithmonë i rrezikshëm në përballje të barazhit”, u shpreh ai.

Selektori i Bosnjës, Safet Susic është optimist para përballjes në Lisbonë. “Ndoshta është më mirë që do të vendohet në Lisbonë, në një stadium shumë të mirë që mund të tubojë gati 70 mijë spektatorë”, tha ai derisa shtoi se parashikon një barazim 2-2 që do t’i mjaftonte skuadrës së tij për tu kualifikuar në Euro 2012 falë golave si mysafir. Ndeshjet e kthimit zhvillohen të martën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›