Shqipëria duhet të presë për Vogtsin

Vazhdojnë dilemat për trajnerin e ri të Kombëtares shqiptare. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ende nuk ka gjetur pasardhësin e Jospi Kuzes, i cili muajin e kaluar u largua nga ekipi kuqezi.
Pas shumë emrave të dhënë për selektor të mundshëm, tani edhe gjermani Berti Vogts, që aktualisht drejton Azerbajxhanin, thuhet se është kandidat për ta drejtuar Shqipërinë.
Pas medieve shqiptare, edhe ato në Azerbajxhan kanë filluar të shkruajnë për një angazhim të mundshëm të ish-selektorit të Gjermanisë, Skocisë e Nigerisë në krye të ekipit kuqezi.
I pyetur nga ueb faqja azerisport.com, se emri i tij po përmendet si zëvendësueses i mundshëm i trajnerit kroat, Berti Vogts është përgjigjur: “Unë nuk dua të flas për këtë. Unë kam një kontratë të vlefshme dhe kam për ta përfunduar atë. Unë nuk e shoh të arsyeshme të flas për këtë para 1 janarit të vitit 2012”.
Sipas medieve shqiptare, kandidatë për ta drejtuar Shqipërinë ende mbetet Matjaz Kek, Sreçko Katanec, Erwin Koeman e Javier Clemente.
Drejtuesit e futbollit shqiptar pasi shkëputën kontratën me Kuzen dukeshin shumë afër trajnerit të ri, por kandidati kryesor Besnik Hasi në momentet e fundit vendosi që mos ta lë Anderlechtin.
Pas kësaj në mediat shqiptare u raportua se edhe gjermani Lorenz Gunter Kostner kishte
arritur marrëveshje me presidentin e FSHF’së, Armand Duka. Por në fund u tha se ish-trajneri i disa klubeve gjermani gjithashtu hoqi dorë nga marrja e ekipit kuqezi.