E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni, shkatërrohet grupi i trafikut të pistoletave

Arsenal i vërtetë municionesh luftarake i sekuestruar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa në pranga janë vënë pesë pjesëtarë të një grupi që merrej prej kohësh me trafikun e armëve dhe municioneve luftarake. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga të dhëna zyrtare të policisë, sipas së cilës, në vijim të luftës kundër krimit të organizuar, nga ana e Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Alberta”, me arrestimin e pesë personave dhe sekuestrimin e 15 pistoletave dhe një sasie të konsiderueshme municionesh.

Operacioni ka startuar që në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, duke u finalizuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, me arrestimin e Mustafa Gashit, 46 vjeç, nga Fushë Kruja, Edmond Kajos, 40 vjeç, nga Berati, Marjus Budës, 26 vjeç, banues në Tiranë, Florenc Mezinit, 31 vjeç, nga Berati, si dhe Nertil Fejzullaut, 25 vjeç, banues në Tiranë. Policia tha se pas disa muaj hetimesh, ndërhyrja është bërë në qytetin e Gramshit në momentin e shkëmbimit të armëve, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15 pistoleta “Miniblow” e “Zastava”, 120 copë fishekë, 7 aparate telefoni celularë, si dhe 2 automjete. Burime nga policia thanë se tashmë po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në trafik, si dhe për destinacionin e pistoletave, ndërsa dyshohet se armët mund të jenë futur nga Kosova.

Trafiku

Duket se e kishin bërë rrugë trafikun e armëve dhe nuk e prisnin që këtë herë policia t’iu ngatërrohej nëpër këmbë. Sipas dyshimeve të policisë, të pestë anëtarët e grupit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë mundur të kalonin arsenalin e municioneve dhe pistoletat nga Kosova, tashmë nuk u kishte mbetur gjë tjetër, vetëm shitja.

Në sajë të tyre, trafikantët duket se do t’i mbushnin mirë xhepat, por në të vërtetë informacioni prej disa kohësh kishte rënë në veshët e agjentëve të policisë. Në sajë të përdorimit të metodave speciale dhe një pune investiguese e shtrirë në kohë, agjentët e Sektorit të Krimit të Organizuar kanë zbuluar gjithçka dhe dy net më parë kanë ndërmarrë operacionin për kapjen e tyre. Sipas të dhënave të marra në rrugë operative, shkëmbimi i armëve do të bëhej në qytetin e Gramshit, dhe pa humbur punonjësit e Drejtorisë së Luftës Kundër krimit të Organizuar kanë marrë të gjitha masat për mbërthimin e trafikantëve.

Arrestimi

Operacioni “Alberta” ka filluar mbrëmjen e së shtunës dhe është shtrirë përgjatë gjithë natës, deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur në pikën e takimit po lëviznin me dy automjete personat e dyshuar. Por, sipas të dhënave, agjentët e policisë e dinin mirë se ç’kishte në bagazhin e makinës, dhe kështu që iu kanë bërë shenjë të ndalojnë. Surpriza ka qenë edhe më e madhe, kur punonjësit e policisë kanë shkuar direkt prapa makinës për të kontrolluar në bagazh. Ashtu dhe siç pritej, në bagazh policia ka gjetur 15 pistoleta “Miniblow” dhe “Zastava”, si dhe 120 copë fishekë luftarakë. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armët dhe municionet, si dhe dy automjetet. Pas hetimeve paraprakë, burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë pohuar se dyshohet se personat e mësipërm në kohë dhe vende të ndryshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer trafik armësh. Tashmë nga ana e grupit hetimor vazhdon puna për të identifikuar personat e tjerë në këtë trafik, ndërsa mësohet se arrestimet e këtyre shtetasve janë bërë për veprën penale të “Trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake, e kryer në bashkëpunim”.

Të arrestuar

Mustafa Gashi, 46 vjeç, nga Fushë-Kruja

Edmond Kajo, 40 vjeç, nga Berati

Marjus Buda, 26 vjeç, banues në Tiranë

Florenc Mezini, 31 vjeç, nga Berati

Nertil Fejzullau, 25 vjeç, banues në Tiranë

Sekuestruar

15 pistoleta “Miniblow” e “Zastava”

120 copë fishekë

7 aparate telefoni celularë

2 automjete

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›