E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër ; Operacioni, asgjësohen 3650 rrënjë Kanabis sativa

Mbi 3600 rrënjë bimë Kanabis sativa janë asgjësuar nga policia e Shkodrës si rezultat i një operacioni të ndërmarrë nga data 16 deri në 20 të këtij muaji. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga zëdhënësja e kësaj policie, Fatbardha Çepelja, sipas së cilës, në fshatin Kajvall të komunës Temal, në tokë të shpyllëzuar pa pronar, u zbuluan 4 parcela me 576 rrënjë bimë Kanabis sativa; në Brushtull të po kësaj komune, u konstatua një parcelë me 180 rrënjë bimë Kanabis sativa; në fshatin Toplanë, Temal u identifikua një parcelë me 65 rrënjë; në fshatin Qerret të komunës Temal u identifikuan 4 parcela me 825 rrënjë; në fshatin Maklaj të komunës Shkrel u bë i mundur identifikimi dhe asgjësimi i 2 parcelave të mbjella me 1154 rrënjë bimë Kanabis sativa, si dhe i një parcele me përmasa më të vogla ku ishin mbjellë 200 rrënjë të tilla. Sipas të dhënave policore, gjithashtu kontroll është ushtruar dhe në komunën Postribë, pikërisht në vendin e quajtur Stanet e Shakotës, ku në një parcelë në tokë të shpyllëzuar ishin mbjellë 650 rrënjë bimë Kanabis sativa. Policia tha se u kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale dhe nga ana e saj po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve që kanë kultivuar këto bimë narkotike, ndërsa materialet e mbledhura për rastet e lartpërmendura i kaluan Prokurorisë për veprën penale, pa autor, të “kultivimit të bimëve narkotike”.

Durrës

Pi helm, 21-vjeçarja lufton me vdekjen në spital

Një vajzë e re është duke luftuar me vdekjen në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi kërkoi të vetëflijohej duke gëlltitur një sasi të konsiderueshme lënde helmuese, ende e llojit të papërcaktuar. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga burime të policisë së Durrësit, sipas së cilës, 22-vjeçarja H.S., lindur në Burrel dhe banuese në Manzë të Durrësit, përfundoi në spital mbrëmjen e djeshme, pak orë pasi u zbulua nga familjarët të kishte pirë helmin. Sipas policisë, ende nuk janë sqaruar rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja. Për shkak të gjendjes kritike për jetën, vajza nuk është marrë në pyetje për të mësuar shkakun e përpjekjes për të vdekur vullnetarisht.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›