E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria veçon hetimet ndaj Diverolit, Tomeit dhe Henrit

Hetuesit kanë pohuar se ndaj tre personave po kryhen ende hetime për të gjetur prova që i implikojnë ata në krim


TIRANË- Vetëm pak ditë para se të dorëzohet pranë Gjykatës së Lartë kërkesa për gjykim ndaj 28 të pandehurve të akuzuar si përgjegjës të tragjedisë së Gërdecit, grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme ka veçuar dosjen hetimore ndaj amerikanit, Efraim Diveroli, Henri Tomei dhe Patrick Henry, për të vazhduar hetimet.


Ndërkaq për Henri Tomeit, organi i akuzës, po pret edhe një letër porosi nga Qipro, ku është kërkuar informacion për llogaritë e subjektit Evdin L.t.d. Sipas burimeve zyrtare pranë organit qendror të akuzës, ndaj tre shtetasve të huaj, Efraim Diveroli, Henri Tomei dhe dhe Patrik Henri, nuk ka prova të mjaftueshme për t'i marrë të pandehur në dosjen penale bashkë me ish-Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe gjeneralët e Shtabit të Përgjithshëm, për akuzat e korrupsionit.


Mungesa e këtyre provave, ka detyryar hetuesit të veçojnë dosjen për hetimin e mëtejshëm në lidhje me përfshirjen e tyre në kohë dhe role të ndryshme në aferat e demontimit dhe trafikut të municioneve në ish-repartin e tankeve në Gërdec.


"Nga hetimet 12- mujore, asnjë nga 28 të pandehurit nuk ka preferuar të flasë në lidhje me aferat e mundshme të tre shtetasve të huaj Efraim Diveroli, Henri Tomei dhe Patrik Henri, të përfshirë në kontrata të ndryshme në punishten e demontimit në Gërdec.


Për shkak të mos gjetjes së ndonjë prove materiale që implikon tre të huajt, grupi hetimor ka ndarë dosjen për të vazhduar hetimet, duke pritur që ndonjëri nga të pandehurit në fazë e hetimit gjyqësor të flas për ndonjë implikim të tyre të mundshëm"-thanë burimet.

Gjithashtu, këto burime saktësuan për "Shekullin" se edhe dyshimet e prokurorisë të ngritura për falsifikimin e firmave të kontratës së dytë mes MEICO-së dhe "SAC-Albademil"-it për demontim municionesh, kanë rënë.

Pronari i SAC, Patrik Henri, ka pranuar se ka firmosur kontratën. Në letër-porosinë e ardhur nga SHBA-ja, Henri ka saktësuar se firma e tij e hedhur në kontratën e dytë është bërë nëpërmjet FAX-it.

"Nuk kisha mundësi të udhëtoja në Shqipëri për të firmosur kontratën e dytë të datës 8 dhjetor 2007 që kishte një vlerë prej 582 mijë dollarë amerikanë, ku parashikohej demontimi i predhave me kalibër nga 20 deri 152 mm.

Në pamundësi të ardhjes sime, kam qenë dakord me kushtet e kontratës dhe kam pranuar të firmos duke dërguar nënshkrimin tim me FAX që është vendosur më pas tek noteri ku është përpiluar kontrata",-ka thënë Henry për dosjen e hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Mbetet në burg inspektori i MEICO-s Ngjeçi


TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, i komunikoi dje masën e sigurisë "arrest me burg" e dhënë në mungesë të pandehurit Sokol Ngjeçi me detyrë supervizor i MEICO-s për demontimin e municioneve në Gërdec.

Rreth orës 9.45 minuta, mbërriti në sallën numër 3 të Gjykatës së Shkallës së Parë me të pandehurin Ngjeçi, nëpërmjet tunelit aty pranë.

Gjyqtari Asim Vokshi, në prani të avokatit të të pandehurit Ngjeçi dhe një nga prokurorët e grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit, kreu verifikimin e masës së sigurisë dhënë në mungesë ndaj të arrestuarit, duke e njoftuar këtë të fundit. I pandehuri Ngjeçi dhe avokati i tij, kundërshtuan akuzat, duke i cilësuar si të pabazuara në ligj.

Prokurori i dosjes, njoftoi gjykatën se hetimet e kësaj dosjeje kishin përfunduar dhe shumë shpejt dosja do të dërgohet për gjykim pranë Gjykatës së Lartë, duke mos nxjerrë detaje nga dosja.

Sipas akuzës, i pandehuri Ngjeçi ishte ngarkuar nga ish-drejtori i MEICO-s, të mbikëqyrte sigurinë e lëndëve plasëse dhe profesionalizmin e punës që kryhej në Gërdec.


Por, nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Ngjeçi, nuk ka kryer asnjë mbikëqyrje dhe të kishte raportuar për shkeljen e rregullave të punës. Ndaj tij, sipas akuzës, rëndon vepra penale e "vrasjes në rrethana cilësues në dëm të shumë personave" dhe "shpërdorimit të detyrës" në bashkëpunim.

----------------------------------------------------------------------------------------

TIRANË- Grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme edhe pas hetimeve 12- mujore nuk ka arritur të gjejë prova apo të provojë implikimin e personave të dyshuar si "grupi hije" i punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec si të përfshirë në tragjedinë që solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve që mbetën të plagosur.

Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit qendror të akuzës, duke shtuar se ndaj shtetasve të dyshuar si "grupi hije" i punishtes së Gërdecit dhe atyre që kishin detyra drejtuese në këtë fabrike, nuk është provuar implikimi i tyre në këtë tragjedi. "Nga hetimet 12- mujore, të mbledhjes së provave të ndryshme materiale nuk ka rezultuar se shtetasit:


Rrahman Selmanllari, Nazmi Isufi, Serian Maçi, Haxhi Mara, baxhanakun e kryeministrit Sali Berisha, shtetasi Muhamet Hoxha "Xhimi" i vdekur nga shpërthimi e persona të tjerë të dyshuar, nuk janë të implikuar në këtë aferë të demontimit të municioneve, pavarësisht punës që ata mund të kenë kryer aty.


Ndaj këtyre personave dhe të tjerëve, që janë marrë në pyetje për të sqaruar pozicionet e tyre, dosja është ndarë për të vazhduar me hetimin e mëtejshëm, ku nëse del ndonjë provë konkrete ndaj tyre do të kryhen procedurat e ndjekjes penale",-thanë burimet e akuzës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›