E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali "Pango", Berisha hesht

Kryeministri nuk ka pranuar të flasë për median, lidhur me skandalin e ish-ministrit të tij

TIRANË- "Kjo javë ka qenë me të vërtetë një javë...". E ka filluar kështu fjalinë dje, Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë, teksa përfaqësues të medias, por edhe ministra të pranishëm, kanë menduar se gjithçka do të vijonte me skandalin e fundit që përfshiu ish-ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.


Por Kryeministri Sali Berisha, teksa fliste për ngjarjen e javës, i referohej një tjetër çështjeje shumë larg skandalit, e pikërisht besimit, sipas tij, të madh të komunitetit ndërkombëtar ndaj ekonomisë shqiptare.


Kryeministri Berisha foli për akte privatizimesh të përfunduara dhe për krizën ekonomike, por në asnjë moment të fjalës së tij, Berisha nuk u ndal tek skandali i ish-ministrit të emëruar nga ai vetë, dy vite më parë, Ylli Pango.

Berisha nuk ka dhënë asnjë koment edhe kur është pyetur posaçërisht nga media për këtë çështje, pas përfundimit të një aktiviteti ekonomik, dhe nuk ka pranuar ta bëjë një gjë të tillë as pas mbledhjes së qeverisë.

Kryeministri heshti për tre ditë rresht, dhe të njëjtën gjë bëri edhe dje në aktivitetet, që ai zhvilloi. Kjo heshtje ka shoqëruar edhe ministrat e tjerë, të cilët dje, gjatë mbledhjes së qeverisë, ishin në pritje të ndonjë deklarate të mbajtur nga vetë Berisha.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›