E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha duhet të kërkonte ndjesë për Pangon

Kryetari i PS-së dhe Bashkisë së Tiranës, reagon pas deklaratave të Kryeministrit

TIRANË- Pas akuzave të Kryeministrit Sali Berisha, drejtuar Kryetarit të opozitës dhe Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ky i fundit, ka reaguar po dje, duke theksuar se kreu i ekzekutivit, në vend të kërkojë ndjesë publike, doli për të hedhur baltë mbi Bashkinë e Tiranës dhe mbi të.

"Prisja sot që, pasi e shkarkoi me të drejtë ministrin e Kulturës, Kryeministri i Shqipërisë të bënte ndjesën e tij përpara opinionit publik, për goditjen e rëndë që mori shteti shqiptar, për shkak të një anëtari të kabinetit qeveritar.

Por, Sali Berisha, sot, doli vetëm për të derdhur një tjetër sasi balte mbi Bashkinë e Tiranës e mbi mua",- tha Rama.

Më tej, ai theksoi: "Prisja sot, që Kryeministri i Shqipërisë të bënte ndjesën e tij përpara qytetarëve të këtij vendi për shfaqjen brutale të një fenomeni, që nuk ka të bëjë thjesht me një episod të neveritshëm të shpërdorimit të detyrës, por me shpërdorimin ekstrem të besimit të publikut tek shteti dhe tek ligjet e shtetit nga një pushtet, që i ka vënë minat administratës publike, duke i kthyer rekrutimet dhe emërimet në administratë në një sistem klientelizmi partiak, korrupsioni mbytës e abuzimi konstant me ligjin e Shërbimit Civil.


Por, Sali Berisha, sot doli për të sulmuar një institucion publik dhe vijoi rrugën e tij të vjetër të përbaltjes së Bashkisë së Tiranës, e cila është një pasqyrë që, në fakt, e ka shqetësuar historikisht bajraktarin e paaftë për të ndërtuar shtet e institucione".


Kryetari i PS-së dhe njëkohësisht Kryetar i Bashkisë së Tiranës, tha se priste ndjesën e Kryeministrit përpara të gjithë administratës publike të këtij vendi.

"Padyshim që, nuk kisha iluzionin se Sali Berisha do të sillej si Kryeministër i Shqipërisë këtë radhë e do të bënte ndonjë gjë ndryshe nga herët e tjera, por prita, sepse i takonte të fliste i pari, në një moment kur qytetarët kanë nevojë për besim, nëpunësit e shtetit kanë nevojë për inkurajim dhe Shqipëria ka nevojë për sens të përbashkët përgjegjësie nga ana e të gjithë përfaqësuesve politikë",- tha ai.

Dje paradite, Kryeministri Sali Berisha, kërkoi gjatë një takimi të ALUIZNI-t, që ndërtuesit të mos pranojnë që të mbahet peng plani urbanistik. Ai ka akuzuar drejtpërdrejtë Kryebashkiakun Rama, se po pengon zbatimin e planit dhe se Tirana, sipas tij, është shembulli i informalitetit për shkak të kancerit të korrupsionit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›