Krujë, e përplas makina, vdes kalimtari
Përgjaket sërish aksi rrugor Fushë-Krujë - Vorë. Një banor i Thumanës ka humbur jetën në një aksident automobilistik, pikërisht në segmentin rrugor që lidh Fushë-Krujën me Thumanën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e vonë të së shtunës, ku viktima Ferit Mera, pasi ka zbritur nga një furgon transporti udhëtarësh në Thumanë, është përplasur nga një automjet tip "Mercedes Benz". Automjeti me targa TR 0864 N, që drejtohej nga Kurtali Bilali, e ka përplasur me forcë viktimën që po kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin, për të shkuar në banesën e tij, pas zbritjes nga furgoni. Sipas burimeve të policisë lokale, automjeti po lëvizte me shpejtësi drejt Lezhës, ndërsa i ka prerë rrugën papritmas kalimtari. Nga veprimet e para hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive, rezulton se të dy, si viktima, ashtu edhe drejtuesi i automjetit, kanë qenë të pavëmendshëm, ndërsa lëviznin në një rrugë të ngarkuar me trafik, pavarësisht nga orët e ditës. Kujdesi i munguar në lëvizje i ka kushtuar jetën Ferit Merës, ndërsa i dyshuari si autor i aksidentit është ndaluar nga shërbimet policore të Fushë-Krujës, deri në sqarimin e ngjarjes.