E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, të gjithë kundër ish-ministrit të Mbrojtjes

Një mori dokumentesh që fajësojnë ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, në lidhje me ngritjen e "fabrikës së vdekjes" në Gërdec, janë paraqitur në organin e akuzës nga zyrtarët e Forcave të Armatosura. Të gjithë, gjatë deklarimeve të lira në prokurori, në cilësinë e personit që kanë dijeni për ngjarjen, deklaruan se ish-ministri kishte interesa për demontimin e municioneve në periferi të Tiranës nga firmat "SAC-Albademil". Alibia e ushtarakëve është vërtetuar nga dokumentet dhe urdhrat e pakuptimta të Mediut. Ushtarakët kanë rrëfyer në organin e akuzës se urdhrat binin ndesh me ligjin për Forcat e Armatosura. Prokuroria e Përgjithshme, e cila tri ditë më parë i depozitoi Kuvendit një kërkesë për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Fatmir Mediu, thotë se ish-ministri ka vepruar në kundërshtim me ligjin në miratimin e akteve të tjera nënligjore, në lidhje me çmontimin e municioneve të kalibrave nga 20-152 mm. Kjo ka ndikuar ndjeshëm në uljen e nivelit të sigurisë dhe rritjen e shkallës së rrezikut për pasoja të rënda në procesin e çmontimit të municioneve. Prokuroria ka evidentuar disa shkelje për Mediun, nën akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Sipas saj, "Southern Ammunition Company inc." (SAC), në mënyrë të qartë evidenton se municionet për të cilat kërkon të vazhdojë projektin, nuk janë më të kalibrit të vogël. Për të vazhduar demontimin e municioneve, ish-ministri ka paraqitur disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjet shqiptare, me qëllim që të lejohej me të gjitha kushtet vazhdimi i punimeve në "fabrikën e vdekjes". Prokuroria thotë se ish-ministri i Mbrojtjes, me synim për të krijuar përfitime të padrejta në interes të kompanive private të përfshira në këtë proces, ka shmangur mbikëqyrjen ushtarake të Forcave të Armatosura në procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, duke miratuar disa urdhra. Në një prej tyre është kalimi i pronës, ku po zhvillohej procesi i çmontimit në administrim të ndërmarrjes MEICO, e cila e ka vënë atë në dispozicion të kompanisë "SAC-Albademil" pa qira. Sipas akuzës, shpërfillja e standardeve të sigurisë dhe zbatimit të rregullave gjatë këtij procesi, veç të tjerash, është rrjedhojë e urdhërimeve të kundërligjshme të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu, duke shmangur FA-në nga garantimi i sigurisë së këtij procesi, që në përzgjedhjen e vendit ku do të kryhej procesi dhe deri në shmangien e tyre nga mbikëqyrja e sigurisë ushtarake. "I gjithë ky proces i parregullt administrativ, i urdhëruar nga Mediu, ka mundësuar ndërmarrjen MEICO dhe kompanitë "SAC-Albademil", të realizojnë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në një situatë kaotike, pa vendosur dhe zbatuar asnjë rregull standard sigurie në administrimin dhe ruajtjen e municioneve, në procesin teknik të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe në procesin e administrimit të produkteve të dala nga ky proces", pohon akuza qendrore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›