Nis gjyqi për Aldo Baren e Enver Dondollakun
Banda e Lushnjes
Alfred Shkurti vrau Artur Dajën dhe i shëtiti kokën nëpër qytet, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e të vëllait
Prokurori lexoi dje në Gjykjatën e Krimeve të Rënda kërkesën për gjykim ndaj krerëve të bandës së Lushnjes, ku kërkohen 122 dëshmitarë
TIRANË- Nisi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda procesi gjyqësor ndaj kreut të "bandës" së Lushnjës Alfred Shkurti, i njohur ndryshe me emrin Aldo Bare dhe krahut të djathtë të tij, Enver Dondollaku.
Në seancën e parë të këtij procesi, prokurori i çështjes Gentian Trenova lexoi kërkesën për gjykim pas 19 muaj zvarritjeje për njoftimin e dy të pandehurve për gjyqin në paraburgimin e Turqisë dhe Italisë.
Dy krerët e kësaj bande, të cilët për t'iu fshehur drejtësisë janë larguar nga Shqipëria, por duke u arrestuar në Turqi për llogari të Shqipërisë Aldo Bare dhe në Itali i pandehuri tjetër Enver Dondollaku ku dhe është dënuar për llogari të tyre me 16 vjet burg.
Sipas kërkesës për gjykim, që "Shekulli" posedon, thuhet se i akuzuari si kreu i "bandës", Aldo Bare, ka marrë pjesë vetë apo ka urdhëruar në vrasjen e shtetasve: Genci Kashari, Xhevat Demiri, Nimet Zeneli e Masar Aliu, ndërsa, ka kryer edhe veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Artur Dajës që më pas u vra dhe trupi i tij u copëtua, Masar Aliut që më pas u vra dhe shtetasit Gramoz Selmani. Gjithashtu, me detyrën e kreut të bandës, i ka vënë zjarrin banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu.
Ndërkohë, ndaj krahut të djathtë të Aldo Bares, të pandehurit Enver Dondollaku, rëndon akuza e vrasjes së Xhevat Demiri, Nimet Zenelit, Masar Aliut dhe Idajet Beqirit, ndërsa, ka plagosur Gramoz Selmanin dhe Masar Aliun.
Përveç këtyre akuzave, i pandehuri Dondollaku ka konsumuar edhe shkatërrimin e pronës me zjarr ndaj shtetasit Shkëlqim Haxhiu dhe vjedhjen me dhunë të të vrarit tashmë Bakli Taullai.
Për të provuar të gjitha këto akuza, sipas prokurorisë, do të pyeten para gjykatës 122 dëshmitarë, mes tyre tre persona me status të Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Më poshtë, "Shekulli", po boton të plotë kërkesën për gjykim të lexuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga prokurori.
KËRKESA
Prokuroria për Krime të Rënda në datë 07.02.2006 ka regjistruar procedimin penal me nr.15.
Ky procedim penal është regjistruar në emër të shtetasve Aldo Bare (me emër të ndryshuar nga Alfred Shkurti) dhe Enver Dondollaku e bashkëpunëtorëve të tyre që ndodhen për gjykim tashmë...
Në muajin Korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi Ramadan Shkurti, i vëllai i të pandehurit Alfred Shkurti me emër të ndryshuar Aldo Bare. Në këtë datë i pandehuri Aldo Bare, së bashku me shtetasit Ramadan Shkurti, Enver Rabija dhe Bardhyl Rabija janë nisur me një autoveturë në drejtim të lokalit ku ndodhej shtetasi Artur Daja.
Kur janë afruar disa metra i pandehuri Aldo Bare, së bashku me personat e tjerë të ndodhur në automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Pas fillimit të goditjes edhe nga ana e lokalit kanë filluar të qëllojnë në drejtim të automjetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur shtetasi Genci Kashari, brenda në verandën e lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja.
Në veranden e lokalit nën shoqërimin e shtetasit Artur Daja ndodheshin familjarë të tij, shtetasi Gramoz Selmani etj. Pas shkëmbimit të zjarrit i pandehuri Aldo Bare së bashku me shtetasin e plagosur aty Enver Rabija, janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, duke vazhduar të qëllonin herë pas here në drejtim të lokalit.
Në vendngjarje dhe pikerisht në automjet mbetën të plagosur shtetasi Ramadan Shkurti (vëllai i të pandehurit Aldo Bare), dhe Bardhyl Rabija.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i plagosur shtetasi Artur Daja, i cili afrohet ne automjetin ku ndodheshin shtetasit Bardhyl Rabija dhe Ramadan Shkurti, i qëllon me armë zjarri duke iu shkaktuar vdekjen.
Ndërmjet shtetasit Artur Daja dhe te pandehurit Aldo Bare ka filluar një konflikt që nga viti 1996. Për vrasjen e vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare ka akuzuar shtetasin Artur Daja. Per këtë arsye së bashku me grupin e tij, i pandehuri Aldo Bare ka tentuar disa herë për të vrarë shtetasin Artur Daja.
Pas vrasjes të vëllait të tij i pandehuri Aldo Bare, me qëllim hakmarrrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afermeve të tij, krijoi të ashtuquajturën "Banda e Lushnjes".
Fillimisht në këtë grup u mblodhën të pandehurit Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare dhe vëllait te tij Ramadan Shkurtit, të vrarë.Pikërisht në këtë periudhë, më datë 03 gusht1997 ne qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri.
Në hyrje te qytetit te Lushnjës viktima së bashku me familjarë të tij janë ndaluar nga kater persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe të pandehurit Ilir Stërgu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare.
Pasi kanë vënë maskat në kokë ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndërkohë i pandehuri Arben Boriçi i cili rrinte në një autoveturë afër vendit të ngjarjes është afruar me shpejtësi dhe në autoveturë kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar.
Me datë 13 shkurt 1998 në vendin e quajtur Kolonjë të rrethit Lushnjë është vrarë me armë zjarri shtetasi Nimet Zeneli.
Në rrugën automobilistike persona të armatosur, ku ndërmjet të tjerëve edhe të pandehurit Arben Boriçi e Ilir Stërgu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare i kanë zënë pritë fuoristradës Tojota me targa FR 8079 A. Personat e armatosur, pasi kanë parë furgonin të afrohej kanë qëlluar me armë automatike në drejtim te tij.
Në fuoristradë udhëtonte shtetasi Gramoz Selmani, shoku i ngushtë i shtetasit Artur Daja, si dhe shtetasit Masar Aliu e Nimet Zeneli, po ashtu shokë të shtetasit Gramoz Selmani.
Ky i fundit, pas goditjes nga grupi i Aldo Bares, me qëllim për tu shmangur nga goditja e grupit, fshihej tek shtetasit e sipërpermendur. Menjëhere shoferi i furgonit, shtetasi Masar Aliu, ka nxjerrë nga rruga makinën dhe të tre personat kanë dalë nga furgoni dhe janë larguar me vrap.
Te pandehurit Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu kanë ndjekur me vrap dy shtetasit Nimet Zeneli dhe Masar Aliu, duke qëlluar me armë në drejtim të këtyre të fundit.
Gjatë ndjekjes shtetasi Nimet Zeneli është plagosur me armë zjarri dhe nuk ka mundur të largohej. I pandehuri Ilir Stërgu së bashku me të pandehurin Arben Boriçi i janë afruar të plagosurit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri duke i shkaktuar edhe vdekjen. Dy shtetasit e tjerë Gramoz Selmani dhe Masar Aliu kanë mundur t'i shpëtonin ekzekutimit.
Disa ditë më vonë, me datë 22 shkurt1998, në rrugën Kolonjë- Bitaj të rrethit të Lushnjes, me qëllimin e vetëm vrasjen e shtetasit Masar Aliu, persona të armatosur ku ndërmjet tyre edhe të pandehurit Enver Dondollaku, Ilir Stërgu dhe Arben Boriçi kanë pritur ardhjen me makinë të shtetasit Masar Aliu.
Pasi kanë pikasur ardhjen e makinës kanë dalë dhe kanë ndaluar makinën. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Masar Aliu duke i shkaktuar vdekjen.
Pas kësaj ata kanë qëlluar edhe në drejtim të shtetasit Idajet Beqiri i cili ka qenë rastësisht brenda në automjet. Me datë 18 gusht 1998 në vendin e quajtur "Kodrat e ullinjve" në afersi të fabrikës së tullave të rrethit Lushnjë është gjetur i vrarë me armë zjarri shtetasi Luan Bilbili, i cili konsiderohej si shok i shtetasit Artur Daja.
Në mëngjesin e ditës së ngjarjes në shtepinë e Luan Bilbilit kanë vajtur persona të armatosur, ku ndërnjët tyre kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stërgu dhe Arben Boriçi. Më pas shtetasi Luan Bilbili është gjetur i vrarë.
Në gusht të vitit 1998 është djegur me anë të zjarrit banesa e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Persona të armatosur, ku ndërmjet tyre edhe të pandehurit Ilir Stërgu, Arben Boriçi; Enver Boriçi; Erion Cici, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë Aldo Bare; Enver Dondollaku; dhe shtetasin e vrarë Leonard Prifti; etj, ditën e ngjarjes kanë shkuar në shtepinë e shtetasit Shkëlqim Haxhiu.
Pasi nuk kanë gjetur personat të cilët kërkonin, ata i kanë vënë zjarrin shtëpisë dhe kanë marre me vete disa nga personat qe ndodheshin brenda ne shtepi. Ngjarja ne fjale është e lidhur me një ngjarje tjeter e ndodhur ne Lushnjë ne te njëjten dite.
Paraditen e dites se ngjarjes është bere goditje me antitank te një makine ne Sul Zotaj (Lushnjë), ku ndodhej edhe drejtuesi i grupit kriminal te pandehurit Alfred Shkurti. Ne vend ngjarje ka qene edhe furgoni i shtetasit Shkëlqim Haxhiut, nga ku është qëlluar me anti tank dhe armë zjarri ne drejtim te makines ku ndodhej i pandehuri Aldo Bare dhe pjesetar te tjerë te bandes se tij.
Ne datë 21.10.1998 ne fshatin Grabian të qytetit të Lushnjës pasi është degjuar një plasje eksplozivi, është gjetur në vendngjarje, pjesë të një trupi njërezor i shpërndarë. Ditën e vrasjes se Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjës pjesëtar të grupit kriminal të drejtuar nga Aldo Bare kanë kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës së Artur Dajes.
Ndërmjet tyre në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Erion Cici, Arjan Alico, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti etj. Të gjithë viktimat kanë qenë shokë, miq të shtetasit Artur Daja i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga ana e të pandehurit Aldo Bare. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit.
Si moment i krjimit të organizatës, e ashtuquajtuara "Bandë e Lushnjës" apo "Grupi i Alfred Shkurtit" është vrasja dhe dhunimi i kufomës së shtetasit Ramadan Shkurti, vëllai i Aldo Bares, ngjarje e ndodhur në muajin Korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjës.
Kjo vrasje erdhi si pasojë e perballjes me bandën e shtetasit Artur Daja, banor i qytetit të Lushnjës. Pas vrasjes shtetasi Aldo Bare, me qëllim hakmarrrjen ndaj shtetasit Artur Daja dhe pjesëtarëve të bandës, krijoi bandën e tij.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Aldo Bare ka një rol dhe autoritet absolut në organizatë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar që të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë të drejtuar dhe të kontrolluar nga i pandehur Aldo Bare.
Në gjithë veprimtarinë e saj kjo organizate udhëhiqej nga interesat e të pandehurit Aldo Bare. Anëtarët e organizatës i drejtoheshin "shefit" të tyre Aldo Bares me nofkat të tilla si : "i madhi" ; "profesori" ; "kryetari" e te tjera. Disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhërat e të pandehurit Aldo Bare nuk bëheshin të diskutueshëm. Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psiqike, fizike si dhe te veprimeve kriminale të tilla si : rrahje, heqje te lirisë, tortura, vrasje.
Në vijim të veprimtarisë kriminale kjo organizatë është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike ku pjesëtarë të organizatës ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në Lagunën e Karavastasë, në shoqërinë e Sport-Klub Lushnjes, në bingon e qytetit e tjera.