E Diel, 1 Nëntor 2026

Krujë, gjendet i mbytur në liqen elbasanasi i zhdukur

 KRUJE - Gjendet i mbytur në liqen 20 ditë pasi ishte shpallur i zhdukur i riu nga Elbasani. Ngjarja ndodhi dje në liqenin e Bacungut në afërsi të fshatit Halil të rrethit të Krujës. Trupi i 24-vjeçarit, Asqeri Dobrova, u gjet nga disa banorë të zonës. Ata sinjalizuan policinë kur panë trupin e të riut që pluskonte mbi ujë. "Një nga banorët e fshatit së bashku me djalin e tij po mbushte një makinë me bar në afërsi të liqenit, kur edhe kanë vënë re të riun pa jetë", u shpreh Sali Hushi, banor i këtij fshati. Sipas policisë, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë, në krahun e djathtë viktima kishte filluar të dekompozohej. "Në pamje të parë dukej njeri normal, nuk e kishim vënë re asnjëherë në fshat. Asnjëri prej banorëve nuk arriti ta njihte. Na thanë që kishte pasaportë me vete dhe ishte nga Elbasani. Kjo na bën të dyshojmë se kush e solli që andej dhe e hodhi në liqen", u shpreh një tjetër banor i këtij fshati. Policia e Krujës bëri të ditur se në trupin pa jetë të riut nuk kishte shenja dhune. Pas verifikimeve të kryera me Policinë e Elbasanit rezultoi se i riu ishte shpallur në kërkim rreth 20 ditë më parë, pas denoncimit të të afërmve të tij. Sipas policisë, Dobrova ishte person me probleme mendore. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›