Xhiro me makinë me të riun, aksidentohen 3 studente
ELBASAN - Një aksident i rëndë ndodhi pasditen e djeshme në aksin Elbasan-Labinot. Tre studente dhe një 24-vjeçar nga fshati Mengël i Elbasanit u përplasën me një shtyllë pas një manovre të gabuar të drejtuesit të mjetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30 teksa mjeti tip "Audi" A 6, ngjyrë e zezë me targa angleze ka kryer manovrën për të parakaluar një makinë që drejtohej nga maqedonasi Safet Aliu. Për pasojë, "Audi", i drejtuar nga Fadil Duka ka fluturuar rreth 50 metra për t'u përplasur më pas me një shtyllë të tensionit te lartë. Në ndihmë të të aksidentuarve kanë shkuar banorë të zonës, të cilët i kanë gjetur trupat e katër të rinjve në vende të ndryshme, pasi goditja ka bërë që ata të dalin jashtë kabinës së mjetit. Sipas policisë, të plagosurit janë tre studentet e Elbasanit, B.Gosa, 24 vjeçe nga Rrogozhina, K.Korça 23 vjeçe nga Përrenjasi, E.Haxhillari, 23 vjeçe nga Berati si dhe Fadil Duka, pronar i mjetit të aksidentuar. Mësohet se këta dy të fundit ndodhen në gjendje më të rëndë. Pak orë pas kësaj ngjarjeje, një aksident me pasojë vdekjen e një personi ndodhi në aksin Elbasan-Librazhd. Mjeti tip "Ifa", i drejtuar nga shtetasi Hyqmet Boja përplasi me vdekje kalimtarin Edison Kristo, 31 vjeç nga Korça. Sipas policisë shkak i aksidentit është bërë shpejtësia e mjetit. a.k