E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku, malazezi kapet në Shkodër me 10 pistoleta

 Etleva DeliaNjë shtetas malazez është arrestuar mesditën e djeshme në Shkodër, pasi me automjetin e tij po tentonte të trafikonte armë në drejtim të Malit të Zi. Nazim Ljikoviç, 32 vjeç, nga fshati Krajë i Komunës Tivar, është arrestuar gjatë operacionit të koduar "Mysafiri", nga oficerët e Krimit të Organizuar dhe policia e Shkodrës. Burime nga policia thanë se malazezi 32-vjeçar, është ndaluar në tentativë për të trafikuar me automjetin e tij, nga Shkodra në drejtim të Hanit të Hotit, për t'i kaluar më pas në territorin malazez, 10 pistoleta të tipit "Ekol-Special 99". Armët u gjetën të shpërndara në vende të ndryshme të makinës tip "Golf" me targë BR AJ 011, të fshehura poshtë të gjitha sediljeve dhe në xhepat anësorë të dyerve. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në makinën e malazezit, u gjetën edhe 2100 euro, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara dhe janë dërguar për ekzaminim në Laboratorin e Ministrisë së Brendshme. Policia tha se eurot ishin të gjitha të prerjeve 50-she dhe ishin të fshehura në kroskotin e automjetit. Mësohet se operacioni i koduar "Mysafiri" ka nisur mëngjesin e ditës së djeshme nga Departamenti i Hetimit të Krimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, pas informacioneve të marra në rrugë operative. Agjentët kanë vëzhguar veprimet e malazezit, i cili ka lëvizur me mjetin tip "Golf". Makina që drejtohej nga Nazim Ljikoviç, është ndjekur nga policia në gjithë itinerarin e saj, ndërsa është ndaluar nga policia në periferi të qytetit të Shkodrës. Oficerët e policisë kanë ndërhyrë për të kontrolluar automjetin, pas sinjalizimit të dhënë nga informatori në policinë e Shkodrës dhe rreth orës 16:00, në dalje të qytetit, një polic qarkullimi i ka bërë shenjë që të ndalojë. Në momentin që polici i qarkullimit po kontrollonte dokumentet, malazezi është tradhtuar nga mimika e fytyrës dhe këmbëngulja për të ikur sa më shpejt. Në këtë moment efektivi i policisë ka sinjalizuar kolegët, të cilët i kanë kërkuar që të zbresë nga automjeti, pasi do i nënshtrohej një kontrolli. Policia sqaroi se gjatë kontrollit u zbulua një nga një armët që ai mbante në makinë, si dhe paratë e falsifikuara. Mala-zezi është arrestuar me akuzën "trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake", si dhe "falsifikimit të monedhave" ndërsa nuk ka dhënë sqarime për armët që iu gjetën në makinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›