E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhte krom, aksidentohet

 BULQIZE - Aksidentohet nga fadroma ndërsa mblidhte krom në Rrugën e Arbrit 45-vjeçarja. Lirie Hasa, nëna e 3 fëmijëve, bashkë me shumë banorë të tjerë kishin gjetur si burim të ardhurash rrugën e re që po ndërtohet mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës. Policia e Qarkut Dibër sqaroi se Hasa po mblidhte krom në trasenë e Rrugës së Arbrit. Mësohet se firma e ndërtimit "Gjoka Konstruksion" transporton nga masivet e inerteve të minierave të kromit sasi të mëdha materiali, mes të cilit ka edhe mineral kromi. Teksa firma hedh materialin për të shtruar trasenë e rrugës, në segmentin Qafa e Buallit-Ura e çerenecit, banorë të shumtë të këtij qyteti, kryesisht gra seleksionojnë krom për ta shitur atë në tregun privat që lulëzon në Bulqizën e varfër. "E aksidentuara po mblidhte krom duke seleksionuar mineralin nga inertet që firma ndërtuese i merr nga stoqet e kromit të minierës, për të shtruar rrugën". Ajo është aksidentuar në këmbë nga një traktor i fuqishëm me zinxhirë, që po shpërndante grumbujt e materialit për shtrimin e rrugës. Si pasojë e gjendjes së rëndë, gruaja është transportuar në spitalin ushtarak, ku pas ndërhyrjes mësohet se ka humbur një këmbë.  Policia ndaloi 4 persona në orët e mbrëmjes, për moszbatimin e kushteve të sigurisë gjatë punimeve.                                                                         h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›