Krujë, me farë droge e municione, 2 në pranga
KRUJE - Policia e Qarkut Durrës-Krujë pas një operacioni të befasishëm arreston dy vëllezër për zotërim bimësh narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Astrit Ferra 39 vjeç dhe vëllai i tij më i vogël Hamit Ferra, që të dy banues të fshatit Mafsheq në komunën e Fushë-Thumanës, janë vënë në pranga në orët e vona të së shtunës. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Astrit Ferra u gjetën e u sekuestruan në cilësinë e provave materiale 111 gramë farë e bimës narkotike kanabis sativa dhe një automatik kallashnikov, një krehër me 30 fishekë kalibër 7.62 mm si dhe gjashtë arka me municion, në një total prej 4320 fishekësh të kalibrit 7.62 mm. Paralelisht me kontrollin e banesës së Astritit, policia e Qarkut ushtroi një kontroll rrufe edhe mbi të vëllanë, në shtëpinë e të cilit u sekuestrua një pistoletë model 54 si dhe 23 copë fishekë luftarakë. “Armët e zjarrit zotëroheshin nga dy vëllezërit pa leje”, bëri të ditur policia. Vëllezërit janë arrestuar me dy akuza, për të cilat do të hetojë më tej prokuroria e rrethit. Duke pasur parasysh faktin se kontrollet e territoreve malore dhe kodrinore të Qarkut Durrës-Krujë për kultivim bimësh narkotike do të jenë nën kontroll të vazhdueshëm nga strukturat policore, me kontroll satelitor dhe patrullim ajror me helikopter këtë vit, policia bën thirrje edhe njëherë për moskultivim të këtyre bimëve të paligjshme, për të cilat sanksioni penal shkon deri në 15 vjet burg. o.u