E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i mjekut: 1/3 e klinikave janë pa licencë



zirina llambro

Rrezik për marrjen e infeksioneve, higjienë jo në nivelin e duhur e mungesë kartelash për pacientët. Gjithsesi nuk janë këto problemet më të mëdha të klinikave dentare në kryeqytet e në mbarë vendin. Urdhri i mjekut ka ngritur disa herë alarmin. Rreth një e treta e klinikave dentare në Tiranë janë të palicencuara. Me gjithë kontrollet e kryera nga Ministria e Shëndetësisë, e shpesh gjobave të vendosura, identifikimi i tyre mbetet i vështirë. “Nëpër klinikat dentare ka mjaft probleme, pasi pacientët rrezikojnë të marrin hepatitet dhe SIDA-n. Shumë klinika nuk kanë pajisjet e nevojshme dhe higjienën e duhur”, është shprehur kryetari i “Urdhrit të mjekut”, Dine Abazi. Ai e ka ngritur këtë problematikë edhe gjatë konferencave të posaçme me stomatologët. Po kështu, sipas Abazit, në pjesën më të madhe të klinikave të licencuara, nuk hapen dosje për pacientët, çka e vështirëson diagnostikimin e tyre për një kohë të gjatë. Po kështu edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Stomatologëve, pranojnë se një e treta e klinikave është e palicencuar. “Shifrat janë vërtetë të tilla. Këtë informacion kemi edhe ne si shoqatë, por nga kontakti me Ministrinë e Shëndetësisë, që kryen kontrollet, na është pohuar se identifikimi i klinikave të palicencuara është i vështirë. Një pjesë e tyre punojnë nëpër bodrume e apartamente”, thonë përfaqësuesit e saj. Sipas tyre, akoma më problematike situata është në rrethe. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, në të gjithë vendin 20% e kabineteve, që ushtrojnë aktivitetin e tyre janë pa licencë. Edhe vetë ky dikaster u bën apel stomatologëve që të aplikojnë për marrjen e licencës përpara ngritjes së aktivitetit të tyre. “Procedurat janë mjaft të thjeshtuara për të marrë një licencë, barrierat janë hequr prej kohësh. çdo stomatolog që do të çelë një klinikë dentare, duhet të zbatojë ligjin. Aktivitetet e palicencuara do të kenë penalizime të forta, deri në heqjen e licencës edhe për vetë stomatologët, dhe ndalimin e ushtrimit të profesionit të tyre”, shprehen burime nga Ministria e Shëndetësisë. Ato pohojnë se ky dikaster kryen vazhdimisht monitorime në kryeqytet dhe në rrethe. Pak kohë më parë, Autoriteti Shëndetësor Rajonal bëri gjithashtu një sërë inspektimesh në kabinetet dentare, kryesisht në sektorin publik. Sipas të dhënave të ASHR, u evidentuan një sërë mangësish dhe u lanë detyra për t’u realizuar, ku nuk munguan edhe masat ndëshkimore.

Shqiptarët të pakujdesshëm me dhëmbët
Shqiptarët nuk i kushtojnë shumë rëndësi higjienës orale. Kontrollet rutinë te dentisti një herë në 6 muaj bëhen nga një pjesë e vogël e popullsisë, ndërsa të tjerët paraqiten atje vetëm kur kanë probleme. Niveli i sëmundshmërisë së dhëmbëve është më i lartë në zonat rurale, ku kontrolli te dentisti quhet ende shërbim luksi. Në këto zona, shërbimi i stomatologëve ose mungon, ose nuk plotëson kushtet e higjienës sanitare, duke u bërë kështu shkas për marrjen e një sërë infeksionesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›