E Diel, 1 Nëntor 2026

Thethi, perla e natyrës peng i infrastrukturës



SHKODER/ RITVAN DIBRA

Zona turistike, 60 km nga Shkodra, mes malesh, lumenjve, gjelbërimit dhe shtëpive tradicionale ndjell prej vitesh vizitorë. Ata nuk stepen nga vështirësitë e rrugës, e ndërtuar që në kohën e Zogut, mungesën e herëpashershme të sinjalit telefonik e atij televiziv, për të qëndruar në një ambient tërësisht natyror.
Banorët e Thethit e kanë njohur turizmin shumë herët, atëherë kur qytetarë të Shkodrës apo dhe të ndonjë qyteti tjetër, kalonin në verë periudha qëndrimi në shtëpitë e malësorëve. Thethi ka një sipërfaqe prej 2630 ha dhe statusin e zonës së mbrojtur, Park Kombëtar i kategorisë së dytë që në vitin 1966. Në fillim të viteve ‘70 u ndërtua dhe Kampi i Pushimeve. Ndërsa, pas viteve ‘90, u duk se gjithçka po shkonte në drejtim të kundërt. Ndonëse shkatërrimit nuk i shpëtoi as pasuria turistike e trashëguar, që përmblidhej në Kampin me disa ambiente, përsëri natyra e mrekullueshme ndikoi te banorët vendas. Ata mundën ta shihnin këtë natyrë, si një mundësi për të siguruar të ardhura dhe për të mbijetuar, në një sistem tashmë tjetër. Dhe pse emigracioni solli një largim të ndjeshëm të popullsisë nga zona e Thethit, përsëri sytë e emigrantëve brenda e jashtë vendit, u kthyen drejt vendlindjes së tyre. Dalëngadalë, me kalimin e viteve, për vendësit u bë e qartë se një burim i rëndësishëm për të siguruar të ardhura atje, mes malesh, është turizmi. Sipas kryeplakut të këtij fshati, Prekë Harusha, në kushtet e një jete të vështirë me mungesë toke, pune e prodhimi, me ndonjë ndihmë nga emigracioni, disa prej banorëve kanë filluar të restaurojnë banesat e tyre. I përshtatin për vizitorët, që vijnë duke u shtuar. Kështu, vetëm vitin e kaluar, në stinën e verës ka pasur rreth 2800 të tillë. Këta janë alpinistë, eksplorues, të apasionuar pas shëtitjeve në natyrë apo thjesht persona që preferojnë të kalojnë disa ditë pushime në ajër të pastër. Kryeplaku Harusha është optimist. “Numri i vizitorëve po rritet. Bashkë me këtë rritje shtohet dhe domosdoshmëria e ndërhyrjeve më të plota e të studiuara mirë, në drejtim të restaurimit të ambienteve, përshtatjes e pajisjes së tyre me mjetet e nevojshme, për t’iu afruar pushuesve kushte sa më normale”. Dhe kur dëshira për punë nuk mungon, fondet gjenden. “GTZ” për 7 familje të Thethit ka dhënë një ndihmë financiare prej 2 mijë euro për familje, me kushtin që t’i përdorin për blerje pajisjesh hotelerie, si hidro-sanitare, mobilim dhomash, shtretër etj. Banorët që kanë marrë këto fonde i kanë kthyer banesat në pensione të vogla, mini-hotele, shtëpi pushimi ku afrohen shërbime, si fjetja dhe ushqimi. Për 2000 lekë nata, ku përfshihet dreka e darka, tashmë mund të pushohet në kushte të pranueshme. Por, për kryeplakun, Prekë Harusha, përmirësimi i infrastrukturës është akoma pengu i zhvillimit të kësaj zone.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›